Vllaznia në basketbolli për meshkuj po kalon një situatë kritike. Si asnjëherë tjetër në kampionat, skuadra kuqeblu nuk arrin të fitojë asnjë ndeshje duke regjistruar pesë humbje radhazi në pesë javët e para të kampionatit.
Humbja e fundit ishte në përballjen me Teutën në transfertë, ku durrsakët fituan me rezultatin e thellë 110 me 78. Pas kësaj jave, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi renditet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit duke qënë kandidatja kryesore për rënien nga kategoria Superiore.
Për situatën problematike që shoqëron kampin kuqeblu e ka ngritur zërin disa herë trajneri Bekteshi duke kërkuar nga instancat përkatëse, Shoqata e Basketbollit Vllaznia dhe Bashkia Shkodër që të ndërhyjnë për ndryshimin e gjendjes, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Siç është bërë me dije edhe më herët, mungesa e anës financiare ka ndikuar që nga Vllaznia të largohen lojtarët titullarë, jo vetëm të huajt, por edhe shkodranët. Në këto kushte, në fushën e lojës për skuadrën kuqeblu, janë lojtarë 15-16 vjeçarë, të cilët e kanë të vështirë të përballojnë ekipet e tjera rivale.
Për situatën në fjalë, ka folur edhe Antonio Shabani, njëri prej basketbollistëve kuqeblu të brezit të përvojës, i cili aktualisht është pjesë e Vllaznisë.
“Eshtë kohë e keqe për basketbollin, por nuk mund ta them koha më e keqe. Nga viti 2007 apo 2008 ishte koha kur ekipi i Vllaznisë kishte vetem 7 lojtarë, prandaj them që ka qënë edhe më keq. Sot Vllaznia nuk garon e njëjtë me të gjitha ekipet e tjera në Kampionat.
Të gjitha ekipet e tjera kanë minimum nga dy lojtarë të huaj, amerikan. Kjo është një ndimese shumë e madhe për ekipet e tyre. Vllaznia për të cilen ne sot flasin ka një ekip me 100% djem shkodran, ku shumë prej tyre kanë ardhur nga ekipi i të rinjve. Aktualisht, jemi vetem tre lojtar nga ekipi që kemi qënë edhe vitet e tjera. Situata sot mund të them që është një produkt i lidershipit apo e menaxhimit të viteve më parë.
Çdokush që është afruar ka ardhur me objektiva për të qëndruar pak tek skuadra e Vllaznisë. Duke qënë se duam të bëhemi sa më shpejt kampion, përdorim rrugën më të shkurtër, marrin sa më shumë lojtarë për të rritur cilësinë e lojës. Kështu cilësia e lojes rritet, por nuk shikojmë për më larg, nuk mendojmë për të ardhmen e skuadrës.”
Deklaratën në fjalë, basketbollisti Antonio Shabani, e dha gjatë emisionit “Sport Show” në TV1 Channel, të drejtuar nga gazetarët, Klodian Zhivani dhe Sidola Osja, ku ai ishte i ftuar në panel.