Boksieri i talentuar shkodranë Nelson Hysa i ka vënë vetes për detyrë të sjellë në Shqipëri titullin e Kampionit të Botës. Dhe, këtë objektiv ai kërkon ta realizojë duke u stërvitur me intensitet, plot përkushtim dhe profesionalizëm jashtë Shqipërisë.
Dhe, për këtë, ai ka zgjedhur Anglinë duke u mirëpritur nga një emër i madh i boksit botëror, mbajtësi i titullit kampion bote, Tyson Fury.

Fotot që shoqërojnë shkrimin janë shkrepur pikërisht në palestren Lancaster, pronë personale e kampionit të Botës Tyson Fury, ku Nelson Hysa vijon përgatitjet nën mbikqyrjen dhe mbështetjen e njëshit të Botës, Tyson Fury.
Siç e shprehin edhe fotot në fjalë, kampioni i Botës, Tyson Fury duket mjaft entuziast në mbështetjen që i jep shkodranit Hysa, teksa pozojnë edhe me duart e kryqëzuara të simbolit të Shqiponjës.
Në një prononcim të shkurtër dhënë për Veriu Sport, kampioni shkodran, bën të ditur se përgatitjet në Angli po shkojnë më së miri, teksa thekson se vetem mbrëmjen e së premtes ka konsumuar 21 raunde stervitje, ndër të cilat, 15 ishin sparring.
“Me këtë ritëm të lartë përgatitjeve që po zhvilloj në Angli nën kujdesin dhe mbështetjen e Kampionit të Botës, Tyson Fury, jam shumë i motivuar dhe i karikuar për të sjellë shumë shpejt në Shqipëri një titull kampion bote, që do të ishte për herë të parë për boksin shqiptar”, thekson për Veriu Sport, Nelson Hysa.
Gaspër MARKU



