Kampionati Ballkanik i Boksit, i cili u mbajt për katër ditësh me radhë në Zagreb të Kroacisë ka mbyllur siparin e tij mbrëmjen e së dieles. Kombëtarja e Shqipërisë e drejtuar nga kryetrajneri Zef Gjoni dhe kolegët e tij, Sead Bushati dhe Lazarin Vila mori vlerësime shumë pozitive nga organizatorët e aktivitetit. Nga 10 pesha të konkurimit zyrtar, në 5 prej tyre boksierët kuqezi arritën të kualifikohen në fazën finale. Këto janë, Krenar Zeneli, Denis Nurja, Alban Beqiri, Indrit Laçi dhe Rexhildo Zeneli, të cilët pasditen e sotme u ngjitën në ring për të diskutuar fitoren e medaljes së artë.
Nga këto, dy prej tyre, dhe konkretisht Denis Nurja dhe Alban Beqiri, arritën suksesin duke fituar medaljet e arta. Për Nurjen, konkurues në peshën deri në 69 kg, nuk ishte aspak e lehtë, pasi në finale kishte boksierin vendas nga Kroacia, Cetiniç Petar(Croaci). Por, boksieri kuqezi, Denis Nurja ka ditur ta menaxhojë mjaft mirë ndeshjen, ku pas epërsisë në ring, gjyqtaria ka votuar në favor të boksierit shqiptar, i cili i dhuron Shqipërisë medaljen e parë të Artë në Ballkaniadë në këtë Ballkaniadë.
Menjëherë pas Nurjës, ka ardhur ka ardhur medalja tjetër e Artë, e cila i takon peshës deri në 75 kg, aty ku ka konkuruar Alban Beqiri. Ashtu si edhe kolegu i tij Nurja, edhe Beqiri ka pasur përballë në finale një boksier vendas, si Jezek Noa, shumë i njohur në boksin kroat. Pas një boksi plot rivalitet, në mbyllje fitues është shpallur boksieri shqiptar, Alban Beqiri
Dy fitore të medaljeve të Arta të boksierëve tanë që sipas stafit teknik janë mëse të merituara, dhe për këtë merita shkon për dyshen Nurja-Beqiri, boksierë këto që prej vitesh janë pjesë e zonës së medaljeve. Gjithjë sipas trajnerëve të kombëtares shqiptare, Gjoni, Bushati, Vila, me medalje të artë mund të vlerësoheshin fare mirë edhe tre boksierët e tjerë kuqeblu, Krenar Zeneli, Indrit Laçi dhe Rexhildo Zeneli, të cilët me boksimin që ato prezantuan në ring, duhej të ishin medalista të artë. Por, nëse nuk u arrit një gjë e tillë, ndër të tjera, pengese ka qënë edhe një gjykim jo korrekt në dëm të boksierëve kuqeblu. Krenar Zeneli, konkurues në peshën deri në 60 kg. kishte përballë boksierin nga Serbia, Gavriloviç Nemanja. Indrit Laçi, që konkuroi në peshën deri në 91 kg. u përballë me boksierin kroat Filipi Toni(Kroaci) dhe Rexhildo Zeneli, konkurues në peshën deri 64 kg. garoi në finale me boksierin kosovar, Bajoku Shpëtim(Kosovë). Që të tre nuk arritën të dalin fitues në peshat e tyre duke u mjaftuar me medaljet e argjendta.
Në këtë mënyrë, Ballkaniada e boksit e zhvilluar në Zagreb të Kroacisë është mbyllur me një bilanc pozitiv, duke fituar dy medalje të arta dhe tre të argjendta, çka tregon se në arenën ndërkombëtare sporti i boksit vazhdon të ketë paraqitje të kënaqshme, gjë që pritet ta ketë këtë përformancë edhe në aktivitetet e ardhshme.
Çiftet finale të ditës së tretë
52 kg. Joksimoviç Rade(Serbi)-Bajoku Bashkim(Kosovë), fiton Bajoku
56 kg. Rahimiç Alen HIH-Gligoric Veljkjo(Serbi)
60 kg. Zeneli Krenar (Albani)-Gavriloviç Nemanja(Serbi), fiton Nemaja
64 kg. Zeneli Rexhildo(Albani)-Bajoku Shpëtim(Kosovë), fiton Bajoku
69 kg. Nurja Denis(Albani)-Cetiniç Petar(Croaci), fiton Nurja
75 kg. Jezek Noa(Kroaci)-Beqiri Alban(Shqipëri), fiton Beqiri
81 kg. Uremoviç Matej(Croaci)-Mironcikov Vladimir(Serbi)
91 kg. Filipi Toni(Kroaci)-Laçi-Indrit(Albani), fiton Filipi
91+ Babiç Vladan(Serbi)-Milun Marko(Kroaci)