Saturday, April 20, 2024

Kampionati i femrave/ Mbyllet java e 20-të, Tirana AS fiton derbin e kryeqytetit, skena dhune në Juban Danja Murlani-Apolonia

Lexo

Juban Danja Murlani-Apolonia, ka qënë çifti i fundit i javës së 20-të të Kampionatit Kombëtar të futbollit të femrave. Një ndeshje e cila ka nxjerrë fituese fieraket me rezultatin 2 me 3, por që gjatë lojës ka pasur probleme të shumta, deri edhe në konfrontim mes dy skuadrave në fushën e lojës duke detyruar arbitren të largojë nga fusha e lojës tre futbolliste me të kuqe. Apolonia, skuadra e dytë në renditje pas Vllaznisë kampione dy javë përpara përfundimit të kampionatit ka marrë tre pikë këtë të diel në një transfertë jo shumë të lehtë në Shkodër ndaj Juban Danjës Murlani. Pjesa e parë e lojës u mbyll në barazim, me fieraket që kaluan të parat në avantazh, ndërsa Caka barazoi shifrat për shkodranet. Në pjesën e dytë të lojës u shënuan edhe tre gola të tjerë, me Gashin që kaloi sërish në avantazh Apoloninë në minutën e 50-të. Paula Jaku barazoi shifrat për Juban Danja Murlanin nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 78-të. Pak minuta para fundit, fieraket shënojnë edhe golin e tretë, me Kastratin që i jep edhe fitoren Apolonisë në këtë transfertë të vështirë.

Korçaret e Skënderbeut udhëtuan të premten drejt Lushnjes, ku triumfuan me rezultatin 1-4. Myzeqaret kaluan të parat në avantazh, me Muçën, e cila shënoi saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 22-të të takimit. Disa minuta më vonë korçaret barazuan me Potomin. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-1, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës, Skënderbeu shpërthen duke shënuar edhe tre gola të tjerë me Potomin sërish, Moravën dhe Milon. Sfida mbyllet me shifrat 1-4, me Lushnjen.

Nuk ka surpriza në ndeshjen Bilisht Sport – Tirana. Kryeqytetaset fituan me rezultatin e thellë 0-8, ku spikat tripleta e Goros dhe dopieta e Bushit. Qose, Kostaj dhe Aliaj shënuan nga një gol personal për ekipin e Tiranës, që vijon të renditet e treta, në ndjekje të Apolonisë.

Në derbin e kryeqytetit, Tirana AS ka fituar ndaj Kinostudios me rezultatin 4-2. Kryeqytetaset realizuan një ndeshje mjaft emocionuese, me shumë raste të krijuara për gol nga të dyja ekipet. Tirana AS kaloi e para në avantazh me golashënuesen e përhershme, Gouffran në minutën e 19-të të takimit. Pjesa e parë u mbyll në favor të Tirana AS. Me fillimin e pjesës së dytë të lojës, Gouffran shënon golin e dytë personal dhe për Tiranën. Kinostudio kundërpërgjigjet shumë shpejt, me Cyme Lulaj që shënon dhe ngushton rezultatin në minutën e 54-t, ndërsa një minutë më vonë, Sidorela Xhabafti shënon golin e dytë për Kinostudion duke barazuar rezultatin. Valentina Troka mendon për Tirana AS, duke i kaluar sërish në avantazh në minutën e 60-të, ndërsa në minutën e 83-të, shënon edhe golin e katërt për ekipin e Tirana AS, të cilat pas kësaj fitoreje renditen në vendin e katërt në kampionat, ndërsa Kinostudio në vendin e shtatë me 31 pikë.

Vllaznia vijon serinë e fitoreve, duke qenë ekipi i vetëm që renditet me pikë të plota pas 20 javëve kampionat. Në derbin shkodran ndaj AAS, vajzat e Vllaznisë fituan me rezultatin 0-9, me tripletat e Doçit dhe Borcit si dhe golat e Muratit, Alijaj dhe Franjës.

Partizani ka fituar në shtëpi në sfidën e kësaj jave ndaj Teutës. 6 gola shënuan të kuqet në këtë ndeshje, ku arritën ta mbyllën lojën në pjesën e parë. Spikatën dopietat e Kokës dhe Nuhut, ndërsa shënuan edhe Mile dhe Saliaj. Partizani kalon sërish në vendin e gjashtë në renditje, ndërsa Teuta gjendet në vendin e tetë, me 18 pikë.

Rezultatet e javës së 20-të:

Lushnja – Skënderbeu 1-4

Bilisht Sport – Tirana 0-8

Tirana AS – Kinostudio 4-2

AAS – Vllaznia 0-9

Partizani – Teuta 6-0

Juban Danja – Apolonia 2-3

 

Renditja pas javës së 20-të:

Vllaznia 60

Apolonia 50

Tirana 46

Tirana AS 41

Juban Danja 40

Partizani 31

Kinostudio 30

Teuta 18

AAS 15

Skëndërbeu 12

Lushnja 4

Bilisht Sport 1

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img