Një tjetër garë, një tjetër paraqitje e mirë dhe një tjetër ngjitje e shkallëve të renditjes botërore të skive. Ky po shndërrohet në një lajtmotiv për skiatoren e re italiane, Lara Kolturi, që ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Kronplatzi në Italia ka qenë stacioni i radhës i Kupës së Botës në ski për femra dhe sportistja kuqezi ka bërë një tjetër paraqitje mbresëlënëse, duke u renditur e 12-ta në botë. Në fakt, Kolturi ka bërë një zbritje të parë të kënaqshme në garën e sllallomit gjigant të martën, duke u renditur e 20-ta, me kohën 1 minutë, 2 sekonda e 52 të qindtat, duke qenë 2 sekonda e 4 të qindtat prapa vendit të parë.
Ndërkohë, ka qenë edhe më e mirë zbritja e dytë për skiatoren 17-vjeçare, teksa Kolturi ka regjistruar kohën e 7-të më të shpejtë, prej 1 minute e 55 të qindtat e sekondës, duke qenë kësaj radhe vetëm 59 të qindtat e sekondës larg vendit të parë. Në mbyllje të dy zbritjeve skiatorja kuqezi ka marrë vendin e 12-të në renditjen e përgjithshme të sllallomin gjigant në Kronplatz, me kohën e përgjithshme 2 minuta, 3 sekonda e 7 të qindtat dhe duke qenë 2 sekonda e 43 të qindtat prapa fitueses së vendit të parë, Lara Gut-Behramit.
Ndërkohë, sipas asaj që ka pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, Kolturi tashmë e ka hedhur vështrimin tek gara e saj e radhës, ajo e Kupës së Botës për të reja në fundjavë Francë, aty ku sportistja kuqezi synon podiumin dhe medaljen.