Vllaznia-Apolonia, takimi i javës së 19-të të Superiores është planifikuar të luhet në orën 17.00 të së shtunës në stadiumin “Loro Boriçi”, por Klubi i Futbollit Vllaznia kërkon ta ndryshojë këtë orar duke preferuar atë 14.00.
Arsyeja ka të bëjë me atë që trajneri Tomas Brdariç i frikësohet rëndimit të kushteve atmosferike, ku sipas informacionit në fundjavë pritet ulja e temperaturave, madje edhe reshje dëbore.
Për njëshin e pankinës kuqeblu, përkeqësimi i motit dhe sidomos prania e dëborës në fushën e lojës nuk do të jetë në të mirë të lojës së skuadrës së tij, ndaj shqetësimin në fjalë ia ka përcjellë edhe drejtuesve të klubit, të cilët, nga ana e tyre, në mbështetje të trajnerit kanë vendosur t’i kërkojnë strukturave përkatëse në FSHF për ta ndryshuar orarin e zhvillimit të kësaj ndeshjeje. Madje, nga sa mësohet, klubi kuqeblu ka dërguar një shkresë zyrtare pranë institucionit të futbollit duke kërkuar mirëkuptimin e ndryshimit në fjalë.
Tashmë, duhet pritur se si do të vendosë sektori i garave në FSHF që në parim, oraret përcaktohen në kordinim me kompaninë mediatike televizive Supersport që ka të drejtën ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve të Superligës.
Nëse i referohemi pragndeshjes, Vllaznia-Laçi, një shqetësim të tillë për kushtet e motit e përcolli gjatë konferencës për shtyp përsëri trajneri Brdariç duke shpresuar që të mos ketë reshje shiu, pasi me praninë e tyre, skuadra e tij nuk shprehet si duhet në fushën e lojës. Por, realisht, sfida Vllaznia-Laçi u luajt në kushte super komode të terrenit të “Loro Boriçit”, si një një ditë pranverore, dhe në fund Vllaznia u mund me rezultatin 1 me 2.
Gjithnjë me kushtet atmosferike. Pas Apolonisë, për javën e 20-të, Vllaznia udhëton në Korçë, ku në të shumtën e rasteve, dëbora është pjesë tradicionale e atij rajoni, gjë që përsëri do të jetë paksa problem për skuadrën kuqeblu.