Sonte në mbrëmje do të zbresin në fushë dy nga ekipet më të mira të Europës. Madridi hap dyert për gjysmëfinalen e parë të UEFA Champions League mes kampionëve në fuqi dhe ekipit më në formë të kontinentit. Real Madrid-Manchester City, Ancelotti përballë Guardiola-s, Halaand kundër Benzema, por edhe fotokopje e gjysmëfinales së vitit të kaluar ku Real e nisi me një fitore por ktheu gjithçka në “Santiago Bernabeu” për të siguruar kualifikimin e vuajtur me rezultatin e përgjithshëm 6-5.
Gjithsesi Man.City ka ndryshuar dhe jo pak me Halaand pasi sulmuesi norvegjez ka shënuar 12 nga 26 golat e citizens në Champions këtë sezon. Reali vjen i freskët nga suksesi në Kupën e Spanjës ndërsa Manchester City krzeson në Angli dhe është në ndjekje të tre trofeve pasi ka siguruar edhe finalen e FA Cup. Mungesa më e madhe në kampion e kampionëve të Europës është mbrojtësi brazilian Militao i cili ka plotësuar numrin e kartonëvem ndërsa në krahun tjetër Nathan Ake vuan nga një dëmtim. Pep Guardiola nuk e cilëson një revansh për eleminimin e sezonit të kaluar duke hedhur “ujë” në zjarr: “Ai i vitit të kaluar ishte një eleminim shumë i rëndë për ne pasi zhvilluam një ndeshje shumë të mirë në shtëpi por në kthim nuk ishim në lartësinë e duhur dhe e uluam Realin. Nuk jemi këtu për hakmarrje, kjo është vetëm një mundësi për të arritur finalen e Champions League”.
Në krahun tjetër, Carlo Ancelotti është gjithashtu diplomat por edhe pragmatist: “Nëse mbron mirë, rezultati më i keq është barazimi. Kjo nuk do të thotë se nuk do të sulmojmë. Të mos harrojmë se sezonin e kaluar shënuam 6 dhe pësuam 5 ndaj kësaj skuadre. Do të dëshiroja të bënim të njëjtën gjë edhe këtë vit por City është një skuadër më e kompletuar dhe kanë në përbërje një sulmues shumë të rrezikshëm si Halaand. Tani ata luajnë edhe me topa të gjatë e janë më të organizuar por kjo nuk do të thotë se kanë ndryshuar stil pasi vazhdojnë të luajnë mirë me topin”.