Friday, April 12, 2024

Kupa e Shqipërisë-Nesër, ora 14:00, Egnatia-Vllaznia. Kuqeblutë udhëtojnë me mungesa të rëndësishme, por me besim kualifikimi

Lexo

Vllaznia do të luajë aktin e dytë të gjysmë finales së Kupës së Shqipërisë ditën e nesërme ndaj Egnatias. Një barazim 1-1 në sfidën e parë ka lënë gjithçka të hapur për përballjen e dytë. Megjithatë, ekipi kuqeblu po vuan një krizë në shumë aspekte në këtë periudhë. Rezultatet e fundit kanë lënë pasoja jo të vogla në aspektin psikologjik në kampin e Vllaznisë, që e sheh veten jashtë Europës për momentin.

Gjithsesi, në kampin kuqeblu ka vijuar normalisht puna gjatë këtyre ditëve dhe rezultati 1-1 i ndeshjes së parë jep shpresë, pavarësisht vështirësive. Kjo përballje pritet të jetë decizive për të dyja skuadrat, por më tepër për kuqeblutë, që tanimë po bëjnë llogaritë jo më si pretendentë për në treshe, por duke shpresuar për një vend të katërt në kampionat. Për rrogozhinasit, ballafaqimi i së mërkurës konsiderohet një ndeshje mjaft e rëndësishme për të arritur në finalen e Kupës Pavarësisht mungesave, tekniku Sedloski do të përpiqet të aktivizojë më të mirët në fushë nesër në transfertën ndaj rrogozhinasve në orën 14:00.

Trajneri maqedonas pritet të luajë sërish me skemën me tre mbrojtës, duke rreshtuar Juriçin, Shehin e Bulatoviçin. Në mesfushë pritet të luajnë Boshnjaku, Alivoda, Jonuzi e Marku, teksa Latifi dhe Çoba pritet të mbështesin Kainën në majë të sulmit. Ja si mund të luajnë dhe për të tentuar më pas një trofe. Nëse për ta është e rëndësishme, për Vllazninë është jetike. Nëse ekipi kuqeblu nuk arrin të fitojë ndaj Egnatias, vendos në rrezik serioz pjesëmarrjen e saj në Europë dhe një gjë të tillë më pas mund ta synojë vetëm përmes kampionatit, edhe pse aty duket pothuajse e pamundur për t’u arritur.

Për të realizuar një objektiv të tillë, Vllaznia dhe trajneri Sedloski kanë kërkuar qetësinë e duhur këto ditë. Por përtej kësaj, gjërat nuk po shkojnë siç duhet. Përveç emrave të Malës e Smajlit, listës së dëmtimeve i janë shtuar edhe ato të Gurishtës, e po ashtu edhe të Balajt, i cili doli i dëmtuar në mesin e pjesës së parë ndaj Kastriotit. Këto dy mungesa peshojnë shumë për betejën e nesërme ndaj Egnatias.

Më shumë se mungesat, në Shkodër janë të shqetësuar më së shumti për impenjimin e lojtarëve. Rasti i mosfestimit të golit nga braziliani Kaina Nunes në transfertën e fundit ndaj Kastriotit nuk ka lënë shihje të mirë në ambientin futbolldashës shkodran dhe për më tepër edhe tek specialistët e futbollit. Rreth ambientit të klubit të Vllaznisë, është krijuar një atmosferë, ku një pjesë e madhe kanë bindjen se lojtarëve, veçanërisht të huajve, pak i intereson ecuria e Vllaznisë. Gjithsesi, të gjithë i kanë drejtuar sytë te ndeshja me Egnatian, ku kërkohet reagimi dhe kualifikimi në gjysmëfinale. Vllaznia po kërkon Kupën e tretë radhazi në këtë sezon.

Admir Uruçi

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img