FIFA shpall më të mirët e vitit, ceremonia vjen në ora 19:00 në Rrjetin e RTSH-së
Bota e futbollit do të kurorëzojë të hënën më të mirët e saj, pasi FIFA do të shpallë fituesit e çmimeve të njohur ndryshe si “The Best”. Robert Levandovski e fitoi këtë çmim vitin e shkuar dhe është sërish midis kandidatëve për ta fituar atë në kategorinë e futbollistëve më të mirë meshkuj, së bashku me fituesin e “Topit të Artë”, Lionel Mesi, por edhe me futbollistin e Liverpulit dhe të përfaqësueses së Egjiptit, Mohamed Salah.
Ndërkaq, në kategorinë e femrave, nuk është e papritur që Barcelona mbizotëron në listën e kandidatëve, me Xhenifer Hermozon dhe fituesen e “Topit të Artë”, Aleksia Putejas të cilave u bashkohet futbollistja e Çellsit, Sam Kerr. Përveç dy kategorive kryesore, kjo ceremoni çmimesh do të përfshijë edhe trajnerët, por edhe portierët më të mirë, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, por edhe formacionin më të mirë të vitit.
Pep Guardiola i Mançester Sitit, Tomas Tuhel i Çellsit dhe Roberto Mançini i përfaqësueses së Italisë janë kandidatët për trajnerin e vitit, ndërsa për çmimin e portierit më të mirë janë Xhanluixhi Donaruma i Italisë, Eduard Mendi i Çellsit dhe Manuel Nojer i Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut.
Një tjetër çmim është ai që njihet ndryshe si Çmimi “Pushkash”, për golin më të bukur të vitit. Sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe ceremonia e Çmimeve “The Best”, që do të mbahet në zyrat e FIFA-s në Zyrih, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 19:00.