Thursday, March 28, 2024

Dëgjesa me Kryeministrin Rama, Duka apel: Duhet shtrat i tërë ligjor që t’i japi mundësinë Shqipërisë të prodhojë më shumë sport

Lexo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ishte i ftuar nga Kryeministri Edi Rama në dëgjesën publike kërkuar nga federatat sportive për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre. Në këtë dëgjesë merrnin pjesë drejtues të federatave sportive, kampionë të sportit, ministra, drejtues të policisë e institucioneve shtetërore.

Në fjalën e mbajtur, Presidenti Duka tha se shpreson që parlamenti dhe i gjithë spektri politik ta pranojë këtë kërkesë të komunitetit sportiv me qëllim që qeveria të kalojë një fond për sportin, teksa premtoi se ky fond nga FSHF do të përdoret për të ndërtuar fusha futbolli nëpër Shqipëri e veçanërisht në Tiranë, ku është nevoja është akute për shkak të mungesës së madhe të infrastrukturës sportive.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit theksoi se ka shumë punë për të bërë për futbollin dhe sportin, por se nuk duhet të ketë iluzione se mund të zhvillohet sporti pa mbështetje qeveritare, pasi në të gjithë botën futbolli ka mbështetje qeveritare në mënyra të ndryshme dhe Shqipëria është i vetmi vend që nuk kemi një ligj që incentivon sponsorizimin në sport

Presidenti Duka bëri apel që përveç çështjes së basteve sportive, duhet rishikuar një shtrat i tërë ligjor që t’i japi mundësinë Shqipërisë të prodhojë më shumë sport dhe më shumë kampionë. Dhe që të arrihet ky objektiv ambicioz duhen më shumë investime.

Më poshtë, fjala e plotë e mbajtur nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në dëgjesën publike me federatat sportive:

“Falënderoj Kryeministrin Rama për organizimin e këtij takimi, por edhe Ministren e Arsimit dhe Sportit për organizimin e Këshillit të Lartë të Sportit. Mbështetja dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm gjatë kësaj periudhe me ministrinë ka qenë më i mirë se në çdo kohë tjetër, jo vetëm nga Ministrja Kushi, por nga e gjithë administrata e saj.

Mu bë qejfi kur dëgjova Kryeministrin që tha se Ministrja ka kaluar në krahun tonë për çështjen e rihapjes së basteve, sepse në takimin e parë që kam pasur me Ministren ishte disi skeptike. Në fakt, kur e kam propozuar, jo vetëm unë, por edhe drejtuesit e tjerë të federatave, nuk është se kemi bërë shpikje. Kemi parë që bastet sportive luhen në të gjithë botën, padyshim me rregulla, nuk po themi që të bëjmë një gjë që nuk ekziston. E tha shumë të detajuar edhe Fidel Ylli se si funksionon, por themi ato që luhen aktualisht, të luhen në mënyrë të ligjshme, në fund të fundit i jep një çlirim edhe Ministrisë së Brendshme, sepse çdo aktivitet i paligjshëm prodhon edhe kriminalitet dhe ka më shumë shpenzime për buxhetin e shtetit.

Kërkesën, që është qoftë e imja, qoftë edhe kolegëve të mi, ne e kemi menduar si një burim financimi që mund të përdoret për të gjitha nevojat që ka sporti. Duke përfituar nga ky takim që nuk është shumë i zakonshëm me një panel kaq të pasur, do të rikujtoja që sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti kanë nevoja akoma më shumë sesa mund t’i ndihmojë rikthimi i basteve dhe unë kërkoj një mbështetje më të madhe.

Nevoja kryesore në futboll sot është infrastruktura, mungesa e inventarit fizik të infrastrukturës futbollistike në Shqipëri është i pakrahasueshëm me çdo vend të Europës. Ne kemi 100 herë më pak fusha se në Slloveni, Tirana ka gjithsej rreth 10 mijë futbollistë dhe ka gjithsesi 10 fusha. Ato 10 mijë futbollistë do të donin minimalisht 50 fusha. Ne kemi bërë projektin 100 fushat dhe jemi të gatshëm të financojmë një pjesë të tyre, por do të na duhen terrene. Kështu që nëse do marrim diçka, uroj që ju ta pranoni kërkesën tonë, uroj që parlamenti dhe i gjithë spektri politik ta pranojë këtë kërkesë dhe të kalojë një fond për sportin. Ju premtoj që FSHF nëse ju do ta ktheni ligjin e basteve, ne do t’i kalonim këto fonde vetëm për të ndërtuar fusha dhe paratë e para në Tiranë, ku është nevoja kryesore. Popullsia më e madhe është në Tiranë dhe jemi dëshmitarë të mungesës së madhe të infrastrukturës sportive. Fatmirësisht duke qenë drejtues i FSHF-së nuk kam nevojë ta promovoj futbollin, sepse të gjithë shqiptarët e duan futbollin. Çdo fëmijë dëshiron të luaj futboll, por ne nuk po i japim atë që ata dëshirojnë.

Realisht unë e ndjej që ka shumë mundësi të tjera, përveç kësaj, nuk jam nga ata që besoj se plani 2-vjeçar do të sjellë begati dhe bastet do na bëjnë kampionë Europe. Kemi shumë punë për të bërë, por asnjë nuk duhet të ketë iluzione se mund të zhvillohet sporti pa mbështetje qeveritare, asnjë lloj sporti, askush nuk mund të mendojë. Edhe futbolli në të gjithë botën ka mbështetje qeveritare në mënyra të ndryshme. Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi një ligj që incentivon sponsorizimin në sport dhe turp për mua e për të gjithë komunitetin e futbollit, që Kosova për 3 vjet na e ka kaluar me 10 vende, ka bërë ligjin e sponsorizimit dhe është 10 vende para nesh sot. Nuk më duket se kanë bërë shumë gjëra të tjera më mirë se ne përveç ligjit të sponsorizimit. Përveç basteve duhet rishikuar një shtrat i tërë ligjor që t’i japi mundësinë Shqipërisë të prodhojë më shumë sport, më shumë kampionë. Vërtetë kënaqesh kur sheh kampionë Europe, është hera e parë në jetën time që kam në krah një kampion Europe, që të them se ne kemi lënë pas Gjermaninë, Francën, etj., është krenari e madhe, por që të prodhojmë edhe kampionë të tjera duhet më shumë investim. Uroj që ju ta merrni parasysh kërkesën tonë”.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img