Italia kishte pritur për 20 vite për të parë sërish një derbi të Milanos në Ligën e Kampioneve dhe ai i së mërkurës, i vlefshëm për gjysmëfinalet dhe që është luajtur në mitiku “San Siro”, nuk ka zhgënjyer. Ndonëse ishte si skuadër udhëtuese në këtë përballje me rivalen qytetase, Interi ka goditur dy herë brenda 10 minutave të para, duke e shtangur rivalen bashkëqytetase. Pas vetëm 8 minutash lojë, Xheko përfiton nga një goditjen këndi dhe fiton duelin me kapitenin kuqezi, Kalabria, duke e dërguar topin në rrjetë.
Milani është tulatur nga goli dhe Interi përfiton, teksa brenda më pak se dy minutash, Mkhtarian ka depërtuar në zonën e kuqezinjve dhe ka dyfishuar epërsinë e zikaltërve.
Ndonëse Interi do të këmbëngulë dhe Lautaro do të fitojë një 11-metërsh, por që më pas anulohet nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), është Milani që në vijim do të mundohet të reagojë, duke e zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Megjithatë, 45 minutat e para do të mbyllen me epërsinë dygolëshe të Interit.
Ajo e dyta ka parë Interin ta administrojë këtë epërsi, përballë Milanit gjithnjë e më të paqartë dhe të pafuqishëm për ta kërcënuar portën zikaltër. Mbyllet kështu me fitoren 2-0 të Interit ky akt i parë i derbit evropian të Milanos, që ka ardhur drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, së bashku me emisionin para dhe pas tij.