Një fitore me 10 lojtarë për të larguar fantazmat e së kaluarës. Renditja e Dinamos sigurisht që vazhdon të jetë e vështirë, por tekniku Luigi Di Biaggio shpreson se pikërisht ai sukses në transfertën e Laçit është pika e kthesës së skuadrës së tij.
“Fitorja me Laçin duhet të jetë pikë kthese, sepse siç u thashë djemve, nuk duhet të kënaqesh, duhet të vazhdojmë se kemi shumë mundësi përmirësimi. Një hap i vogël është bërë, por nuk jemi shëruar ende”.
Tekniku italian duhet të mendojë për një kundërshtar tjetër të fortë si Vllaznia, por ndonëse evidenton Balajn e ka të qartë se formacioni shkodran ka të tjerë lojtarë të rëndësishëm, me të cilët duhet të bëjë llogaritë.
“Vllaznia ka lojtarë të mëdhenj, Balaj është një sulmues i madh, ka disa mesfushorë të rëndësishëm. Edhe mbrojtës krahu edhe pse ndonjë është i dëmtuar e do mungojë. Por mendoj se janë një skuadër e mirë se kanë parime loje interesante, lëvizin mirë dhe vënë në vështirësi shumë skuadra. Është një skuadër që mund të arrijë lart”.
Dinamo ka vetëm 6 pikë në gjashtë javë, duke u pozicionuar në vendin e tretë nga fundi. Di Biaggio nuk është nga ata që e ndjejnë presionin e renditjes, por e ka të qartë se duhet t’i japë vazhdimësi rezultateve, për të forcuar edhe mentalitetin e lojtarëve të tij.