Vllaznia U-20 në volejboll për femra fitoi të dielen e kaluar finalen e parë në Shkodër me rezultatin 3-0. Dinamo, fitoi sot sfidën e dytë finale me rezultatin 3 me 2 duke barazpeshuar fitoret e finaleve në 1 me 1.
Tashmë, fati i titullit kampion në volejboll femra U-20 do të vendoset me një ndeshje të tretë që do të luhet të dielen e ardhshme në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës duke filluar nga ora 15:00.
Sa i përket ndeshjes së sotme të luajtur në pallatin e sportit “Farka Volej”, dy finalistet, Dinamo vendase dhe Vllaznia mysafire paraqiten në fushën e lojës vlerat e tyre më të mira.
Në fakt, falë formës shumë të mirë që paraqiten në ndeshjen e parë të luajtur në Shkodër, volejbollistet kuqeblu të drejtuara nga trajneri Ferdinand Bardeli dhe kolegët e tij, Dorian Tafa dhe Fatjet Axhagiq, dhe të mbështetur fuqishëm gjatë gjithë sezonit nga presidenti Florian Zekja, kishin objektiv ta mbyllnin çështjen e titullit kampion që sot me finalen e dytë.
Por, dinamovitet kanë surprizuar kur kanë fituar lehtësisht dy setet e parë me shifrat 25-13 dhe 25-17. Vllaznia zgjohet në setin e tretë, dhe, edhe me pak fat e fiton atë 24-26. Më pas, në të katërtin është më e sigurtë në lojë teksa e fiton edhe këtë set 20-25, duke bërë që ndeshja të shkojë me set final. Zakonisht, entuziasmi i skuadrave që fitojnë radhazi duke e barazuar rezultatin vijon me sukses edhe në setin e pestë. Por, kjo sot nuk ndodhi me Vllazninë, duke I dhënë mudësi dinamoviteve të rikthehen përsëri në lojë, teksa fitojnë këtë set final 15-9 dhe së bashku me të, edhe të gjithë ndeshjen me sete 3-2.
Në këtë mënyrë, titulli kampion në volejboll femra U-20 do të vendoset përmes një ndeshje të tretë, që sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Volejbollit, do të jetë përsëri në Shkodër. Takim, i cili është programuar të luhet të dielen e ardhshme, në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” duke filluar nga ora 15:00.