10 nëntor 2022! 80-të vite më parë, ka lindur ish futbollisti, trajneri, mësuesi i edukimit fizik, qytetari dhe familjari i nderuar shkodran, Selami Dani. Ndonëse vitet kanë bërë të tyren, professor Sela, siç e thërrasin nxënësit e tij të brezave të ndryshëm të futbollit shkodran, vijon të jetë aktiv në jetën e përditshme.
Së bashku me Ismet Hoxhën, Esat Egërçin, Paulin Ndojën e Frederik Çapalikun, Zyhdi Bashën, doktorin e Vllaznisë, Zyhdi Çoba, e ndonjë tjetër, bashkohës së fushës së futbollit, vazhdojnë të konsumojnë kafen e përditshme, apo edhe diçka më tepër, në një nga kafet e tyre të preferuar të lagjes Zdralej aty rrotull stadiumit “Loro Boriçi”.
Aty ku, së bashku me to, janë edhe shokët, miqtë dhe tifozët e shumtë kuqeblu që i kanë ndjekur në ndeshjet e futbollit, ku kryefjala e gjithçkaje vijon të mbetet Vllaznia, kujtimet e bukura të së kaluarës, por edhe analiza e situatës së Vllaznisë së sotme.
Për Selami Danin, futbollistin e suksesshëm të Vllaznisë, Partizanit dhe kombëtares së Shqipërisë, kemi folur vazhdimisht dhe do të vijojnë të flasim dhe shkruajmë gjithmonë me kënaqësin më të madhe, pasi edhe karriera e tij është tejet e pasur. Por, në këtë fillim të ditës së re të 10 nëntorit 2022, është momenti për t’i rezervuar një dedikim special që vajza e tij, kolegja jonë e nderuar gazetare e Radio Shkodrës, Gentiana Dani(Daka), shumë e njohur edhe në fushën e artit me interpretimet dhe prezantimet e saj brilante të veprimtarive artistike të qytetit të Shkodrës, ka rezervuar për babain e saj Selami Dani në këtë përvjetor të 80-të të ditëlindjes së tij.
“ N’kopshtin e kujtimeve t’mija je ti.Sa her hap deren e tij, m’përshndesin shetitjet me ty me biçikleten “kineze”, akulloret e aranxhatat, plazhet pafund, librat e mirzgjedhun lexu nen driten e abazhurit t’bardh me vij bojqielli, mandej Çelentano, Bitëlls,sa ndeshjet e mendimet tuja prej specialisti, maraku për shkollen…..loti kur m’përcolle nuse,shendi kur u bana nan, e prap maraku për vajzat e mija që s’din me i da prej mejet.
Ecin vitet, randojn mbi ne… e un prap vazhdoj me t’pas ty ,bèn ma t’madhe.Ti, personi jem ma i dashtun! Tashma kur flokt e bardh ta shtojn fisnikerin,kur hapat e tu t’ngadalt maten me tik-taket e orës, un kapem te syt e tu t’ shkrum pasqyr e shpirtit tand t’bukur e du me t’rrok fort për me t’than “faleminders”: që ke ken e je afër nesh me mirsin tande, matunin, formimin e zotnillekun tand.
E di që nuk t’pëlqejn dedikimet profe,por s’mujta me i ndal fjalt e zemrës n’kët 80-vjetor tandin.
Mu m’ka hatru Zoti me t’ pas ty bab! U bafsh 100-vjeç!”, shkruan Gentiana, për babain e saj, ish futbollistin e famshëm shkodran, Selami Dani.
Me këtë rast, edhe portali Veriu Sport, përfiton nga rasti të urojë me respektin dhe konsideratën më të madhe Mjeshtrin e Madh të futbollit, jo vetëm në fushë, por edhe titull zyrtar të Presidences së Republikës së Shqipërisë: Edhe 100 të tjera professor Selami Dani!
Gaspër MARKU, 10 nëntor 2022