Thursday, March 28, 2024

(Video)FSHF, së shpejti me një projekt të ri. Kurs për trajnerët e portierëve “UEFA B Goalkeeping”

Lexo

Federata Shqiptare e Futbollit do të sjellë së shpejti në tjetër risi sa i përket edukimit dhe kualifikimit të trajnerëve që punojnë në futbollin shqiptar. Së fundmi në Departamentin e Edukimit në FSHF është krijuar edhe Sektori i Zhvillimit të Portierëve që është i fokusuar pikërisht në edukimin e trajnerëve të portierëve në të gjitha nivelet e moshave të klubeve dhe akademive me synimin final për të përgatitur sa më shumë portierë cilësore në plan afatgjatë. Ky sektor do të organizojë në muajin janar kursin “UEFA B Goalkeeping” ku mund të marrin pjesë të gjithë trajnerët e portierëve me kombësi shqiptare, që punojnë brenda dhe jashtë vendit.

Përgjegjësi i këtij sektori, Erion Meta shpjegon se kursi i licencuar nga UEFA ka si objektiv të forcojë njohuritë që trajnerët posedojnë aktualisht duke i afruar atyre sa më shumë burime informacioni rreth stërvitjes së portierit modern, dhe njëkohësisht të zhvilloji fokusin në analizën e performancës së portierëve, zhvillimin e të rinjve dhe teknikat e stërvitjes konjiktive.

“Prej pothuajse dy muaj është krijuar sektori i zhvillimit të portierëve që është pjesë e Departamentit të Edukimit në FSHF. Qëllimi i këtij sektori është që të krijojë një platformë informacioni për të gjithë trajnerët e portierëve shqipfolës, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Prej pothuajse një muaji kemi marrë aprovimin zyrtar nga UEFA për të nisur kursin e parë pilot për trajnerë portierësh që quhet “UEFA B Goalkeeping”. Me anë të këtij kursi qëllimi është që të nisim një rrugëtim afatgjatë formimi për trajnerët e portierëve shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këto kurse zhvillohen prej vitesh nga UEFA në federata të ndryshme europiane dhe besoj se është një fat për FSHF-në që e nisim këtë rrugëtim pikërisht tani”, – thotë Meta në një prononcim për Fshf.org.

Sakaq, përgjegjësi i sektorit të zhvillimit të portierëve në FSHF thekson nëpërmjet këtij kursi do të punohet njëkohësisht edhe për të rritur sa më shumë numrin e portierëve nëpër akademi dhe klube si edhe për të pasur portierë sa më cilësorë në të ardhmen.

“Sipas studimeve që kemi bërë me kolegët e departamentit ka një mangësi në kontekst sasior të portierëve, si në akademi, por edhe nëpër ekipe. Ideja është që ne si federatë të suportojmë sa më shumë akademitë dhe klubet që të rrisim sa më shumë sasinë, por edhe cilësinë me anë të kurseve të ndryshme dhe mbështetjes në plan afatgjatë që ne do t’i ofrojmë klubeve dhe akademive në këtë aspekt. Lektorët do të jenë të kualifikuar nga UEFA, por jemi akoma në fazën e përcaktimit të emrave dhe përzgjedhjes së tyre. Portieri është një rol delikat dhe kërkon vëmendje të veçantë dhe për këtë arsye mendoj që në rang kombëtar në vitet e ardhshme, qëllimi jonë është që t’i mbështesim akademitë që ta bëjnë rolin e portierit prioritet, që të rritet si rol edhe në kontekst sasior, por edhe në kontekst cilësor”, – shpjegoi Erion Meta.

Ky kurs i ri i bashkëngjitet programeve të edukimit që FSHF ka implementuar prej kohësh në edukimin dhe kualifikimin e stafeve teknike, duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe rolit të trajnerit të portierëve si një figurë kyçe në stafin teknik të një skuadre futbolli. Në javët në vazhdim FSHF do të bëjë me dije për të interesuarit edhe procedurat dhe kriteret që duhen për të marrë pjesë në kursin “UEFA B Goalkeeping”.

(Video) Përgjegjësi i këtij sektori, Erion Meta, flet për kursin e trajnerëve të portjerëve

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img