Krahas të tjerave, përballja e së dielës, Vllaznia-Partizani, apo supersfida më e rëndësishme e javës së 21-të të kategorisë Superiore, ka edhe një të veçantë tjetër. Përballë njëri tjetrit do të jenë Tefik Osmani dhe Orges Shehi. Dueti, Tefiku drejtor dhe Orgesi trajner, jo shumë larg bënë histori duke e shpallur Tiranën kampione. Por, që të dy, njëri pas tjetrit, lanë bardheblutë për t’u stacionuar në dy klube të tjerë me peshë të Superiores.
Osmani zgjodhi Vllazninë për të vijuar karrieren e tij sportive si drejtor sportiv, ku për hir të së vertetës, që prej ardhjes së tij në Shkodër, gjërat në klubin kuqeblu kanë një ndryshim rrënjësor për mirë.
Ndërkohë, Shehi, u vu në krye të Partizanit, aty ku, ndonëse nuk e ka filluar mirë, ai beson se në cilësinë e trajnerit më të mirë të vitit, do të vijojë sukseset për të realizuar objektivat e klubit të të kuqve në fitimin e trofeve të sezonit.
Të dielën, dyshja Tefik Osmani-Orges Shehi, janë në “Loro Boriçi”, në stadiumin ku ato kanë derdhur djersë me uniformën e Vllaznisë në kohën kur klubin kuqeblu e drejtonte ish presidenti i ndjerë, Myftar Çela.
Por, këtë të dielë, ato janë kundërshtarë me njëri tjetrin. Tefik Osmani me Vllazninë dhe Orges Shehi me Partizanin. Padyshim që do të takohen dhe përqafohen, sepse kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë miq dhe kolegë të mirë, por kur vërshëllima e arbitrit të japë sinjalin e startit të takimit, ato do të pozicionohen në llogoret e tyre për të fituar luftën e kësaj beteje mes dy emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, sfidë e cila po pritet me shumë interes nga një opinion i tërë sportiv, në Shkodër dhe më gjërë.
Po, kush do ta fitojë këtë betejë të pasdites së 28 janarit 2024? Këtë do ta tregojë fusha e lojës……e një stadiumi mitik që mban emrin e të famshit, Loro Boriçi, një futbollist që në karrierën e tij sportive, pas shpalljes kampion me Vllazninë ka luajtur për shumë vite me sukses edhe tek Partizani.
Gaspër MARKU