Pas golit nga goditja e dënimit në ndeshjen kundër Cruz Azul, argjentinasi ka realizuar dopietë ndaj Atlanta United
Pasi shënoi gol nga një goditje dënimi në shtesë kundër Cruz Azul, në ndeshjen e parë në Kupën e Ligës, Lionel Messi ia doli mbrëmë edhe më mirë, duke shënuar dy herë kundër Atlanta United në fitoren 4-0 për Inter Miami. Kampioni i botës i ka shtuar listës edhe një asist për Robert Taylor, i cili shënoi dy gola.
Kontributi i tij ndezi një shkëndijë në ekipin, i cili ishte në fund të renditjes në MLS para ardhjes së tij. Dhe ‘Messi-mania’ po shtohet në mesin e fansave në Florida, duke përfshirë VIP-at që tani janë një prani e vazhdueshme në ambjentet e Fort Lauderdale.
Mjaftuan 22 minuta që ylli argjentinas të lërë gjurmë, duke shënuar fillimisht me tentativën e dytë, më pas duke mbyllur një trekëndësh perfekt me Taylor. “Të luash me të është një ëndërr e realizuar – komentoi mesfushori finlandez – ai sjell aq shumë cilësi në fushë sa të gjithë ne përfitojmë prej saj”.