Rrok Preçi, gazetari dhe komentatori i njohur sportiv, i cili një jetë të tërë ia ka kushtuar mikrofonit sportive, ka mbushur plot 84 vjeç.
Një ditëlindje që vjen edhe në një ditë tjetër të shënuar, atë të emrit të tij, Shna Rrokut, një festë e shenjtë e komunitetit katolik që festohet kryesisht në pikën turistike të Shirokës në Shkodër, e cila mbledh çdo vit të gjithë komunitetin shkodran, pa dallim feje e krahine, madje shumë prej tyre të ardhur posaçërisht edhe nga jashtë vendit.
Vitet kanë bërë të tyren, dhe për hirë të së vertetës, tre vite më herët, teksa konsumonte si çdo ditë kafen e mëngjesit me kolegët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë në Tiranë ku ai jeton: Bashkim Tufa, Dëfrim Methasani, Isuf Mërtja, Altin Sulçe, etj, pati një shqetësim të papritur, i cili prej tre vitesh po e mundon. Por, me kurajon, vullnetin dhe vendosmërinë e madhe që e karakterizon në vite, Rroku po ia del dhe dita-ditës, ka nisur të rikthehet në gjirin e shoqërisë.
Dhe, në këtë ditë të shënuar të jetës së tij, një nga miqtë e tij më të afërt, Dëfrim Methasani, ashtu siç din ai vetë si specialist i këtyre festimeve, organizoi një të tillë edhe për Rrokun, mikun dhe kolegun tonë të përbashkët, të cilën Methasani e përcjell mjeshtrisht në postimin e tij.
“I lumtur dhe i qetë shpirtërisht që në 84-vjetorin e lindjes së ikonës së komentit sportiv në Radio Tirana, Rrok Preçi, realizuam ceremoninë e vlerësimit të tij me titullin:”Mirënjohje Nderi” nga SHGSK.
Ky çmim mjeshtrit të mikrofonit sportiv Preçi i është akorduar në Tiranë nga zoti Edmond Thaçi, President i gazetarëve sportiv në Kosovë, me propozim të Unionit të Gazetarëve Sportiv në Shqipëri.
Kontributi në mikrofon prej katër dekadash, por dhe roli i tij në urat e vendosura në gazetarinë sportive mes Shqipërisë dhe Kosovës, ishin motivi i një vlerësimi të tillë.
Çmimi merr më shumë vlerë moralisht, sepse i është dhënë në një moment të rëndësishëm pasi prej tre vitesh Preçi ka kaluar një situatë të vështirë me shëndetin.
Edhe 100 djalit të Kelmendit dhe Kurbinit, zëri kumbues i Radio Tiranës i cili ka dhuruar mbi 4 dekada emocione të pafund të futbollit, nga Laçi në Tiranë, Shkodër, Durrës e Vorë, por dhe kudo ne Shqiperi.
Zoti e rujt familjarisht!”
Edhe 100 të tjera, Rrok Preçi! I fortë dhe energjik siç të njohim prej shumë vitesh, Sporti dhe shoqëria ka shumë nevojë për shërbimet tuaja mediatike.
Me shumë respekt, nxënësi, koleku, miku yt, Gaspër MARKU


