Gjatë periudhës së fundit, në media, sidomos ato sociale, është shkruar dhe komentuar rëndom rreth datave historike të formimit të klubeve të futbollit, ku përkundër datës 16 shkurt 1919 që është data e formimit të klubit Vllaznia, i pari i këtij lloji në Shqipëri, klube të tjerë shqiptarë kanë nisur të publikojnë data ta tjera, të cilat shtrembërojnë realitetin e historisë së futbollit shqiptar.
Njëri prej tyre është edhe ai i Elbasanit, që në posterin e publikuar në prag të ndeshjes me Vllazninë, e citon Elbasanin të formuar në vitin 1913. Që do të thotë, se sipas asaj që ato shkruajnë në postër, Elbasani qenka formuar plot 6 vite para Vllaznisë.
Por, nga ana tjetër, në faqen zyrtare të klubit elbasanas, figuron një datë tjetër, ajo e vitit 1929, e cila duhet të jetë OK me historinë e klubit.
Me këtë rast, me dashje, apo pa dashje, drejtuesit e klubit kuqeblu, bazuar në fakte historike origjinale, i bëjnë me dije homologëve të tyre se kanë gabuar në datë dhe histori, sepse me këtë rast, na del se Elbasani është formuar 6 vite para Vllaznisë, që kurrsesi nuk është e vertete.
Megjithatë, ajo që ka rëndësi , është se në orën 19:00, Elbasani dhe Vllaznia përballen në stadiumin “Elbasan Arena” në kuadër të javës së 8-të të Abissnet Superiore. Me një Vllazni që kryeson e vetme Superioren duke pasur në ndjekje me një pikë më pak pikërisht Elbasanin, me të cilin përballet sot.
Një sfidë, që krahas të tjerave, sa i përket tifozërisë, pritet të jetë unike në futbollin shqiptar, pse jo edhe më gjërë, kur dy tifogrupet e fansave kundërshtarë, “Tigrat verdheblu” vendas dhe “Vllaznit Ultras” mysafirë, kanë deklaruar se falë miqësisë së hershme mes tifozërive të dy qyteteve, ato do ta ndjekin sfidën në fjalë së bashku, në të njëjtën tribunë duke përcjellë kësisoj një mesazh tejet kuptimplotë për tifozëritë e tjera, të cilat për hirë të vertetës, janë shfaqur me jo pak me incidente në raport me njëra-tjetrën.