Mundja shkodrane vazhdon të shkëlqejë në aktivitetet kombëtare por edhe ndërkombëtare, në të cilat po korrë suksese duke fituar tituj dhe medalje individuale dhe ekipore.
Nën drejtimin e kryetrajnerit Altin Anza, i cili po vazhdon traditën e babait të tij, ish kampionit të Vllaznisë Ali Anza, ekipet e mundjes të klubit sportiv Vllaznia po bëjnë një paraqitje shumë të mirë në veprimtaritë kombëtare.
Suksesi më i fundit ishte në Kampionatin Kombëtar të moshave për kategorinë U15 dhe U17 ku mundësit shkodranë spikatën për përgatitjen e tyre duke u ngjitur në podiumin e fituesve.
Në ndeshjet e zhvilluara në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit, figurën më të mirë sportive e bëri Enes Anza, i cili në vazhdën e titujve kampionë të fituar në edicionet e mëparshme, ky kampionat tregoi edhe një herë nivelin e tij gjithnjë e në rritje.
Konkurimi i Enes Anzës i përkiste kategorisë së 17 vjeçarëve për peshën e rëndë deri në 92 kilogram. Një peshë, që për hirë të së vertetes ishin grupuar edhe mundësit më të mirë të kampionatit duke e bërëv garën edhe më të bukur. Kampioni në fuqi Enes Anza arriti të mbyllë me sukses duke dalë fitues në të gjitha ndeshjet, një pjesë e të cilëve me tuç, çka tregon epërsinë dhe spektaklin e dhuruar në tapet.
Krahas titullit kampion në peshën deri në 92 kilogram, falë nivelit të lartë të paraqitur në duelet e peshës së tij, gjyqtaria e kampionatit e shpalli sportistin e Vllaznisë Enes Anza mundësin më të mirë të kampionatit duke e nderuar me një kupë personale.
Një sukses ky që përligj traditën e mundjes në familjen Anza, kur kemi parasysh se Enesi është brezi i tretë i kësaj familje, djali i trajnerit të sotëm të Vllaznisë Altin Anza si dhe nipi i ish kampionit të Vllaznisë, Ali Anza që sot nuk jeton, por prapa ka lënë një karrierë të pasur sportive.
Duke vijuar me Kampionatin Kombëtar për kategorinë e moshës U17, Vllaznia nxori edhe një kampion tjetër. Ai është Eglis Mhillaj i cili u rendit i parë në konkurimin e peshës deri në 65 kg. Duke qëndruar në këtë kategori U17, figurë të mirë sportive bëri edhe mundësi i peshës super të rëndë deri në 110 kilogram Everest Nika, i cili u rendit në vendin e tretë, ndërkohë që kolegu i tij kuqeblu Alvaro Malaj i peshës deri në 92 kilogram u rendit në vendin e katërt.
Një prezantim shumë të mirë bëri Vllaznia edhe në konkurimin e kategorisë së moshës U15, nga gjiri i së cilës doli kampioni Jasir Cekaj, konkurues në peshën deri në 85 kilogram, ndërkohë që Unejs Hafizi u rendit në vendin e tretë.
(Video) Pamje të ndeshjeve të mundësve të Vllaznisë në Kampionatin Kombëtar të moshave xhvilluar në Durrës, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


