8 me 0 në favor të skuadrës kuqeblu ka përfunduar ndeshja e javës së gjashtë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për femra, Vllaznia-Kukësi, takim ky i luajtur në fundjavë në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës. Me këtë fitore, Vllaznia e drejtuar nga traneri Nikolin Leka vazhdon të kryesojë kampionatin me 18 pikë të plota në gjashtë ndeshje të zhvilluara.
3 nga 8 golat e shënuar mbajnë firmën e Megi Doçit, sulmueses së talentuar kuqeblu, e cila mbërrin në shifrën e përgjithshme të karrieres sportive me plot 600 gola. Një rekord unikal ky në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare.
Rasti në fjalë nuk është anashkaluar nga drejtuesit e Vllaznisë, të cilët me në krye presidentin Lazër Matija, kanë organizuar një miniceremoni modeste në përfundim të ndeshjes me Kukësin, duke i dorëzuar Doçit, fanelen e Vllaznisë me shifrën e 600 golave të shënuar nga ana e saj.
Një moment që ka emocionuar jo pak, vetë Megin, e cila, përmes një postimi të sajin në rrjetet ciale, shkruan:
“600 gola sot vetëm në kampionatin Shqiptar……
Shum punë djers, ego, nerv, merzi, sakrifica, emocione të papërshkrueshme për të shënuar kaq shumë, e mbi të gjitha mbështetje e shumë përkushtim ndaj edhe një motiv për punë më të madhe dhe për të thyer rrekorde të njëpasnjeshme përsëri…….
Faleminderit shoqeve të ekipit, stafit me trajnerin Nikolin Leka e Fabiol Rexhepi dhe me në krye presidentin Lazer Matija!
Faleminderit Vllaznia me në krye kuroren e saj, tifozët e mrekullueshëm që jetojn me futbollin e me Vllazninë ….
Falenderoj të gjith trajnerët që kam punuar deri më sot, deri te ai, që ndoshta edhe vetem me fjalë me ka ndihmuar që un të rritem si profesioniste….
Faleminderit edhe gjithë atyre që nuk më deshën, nuk më mbeshteten. Ja ku jam sot.
Faleminderit Gjergj Koal që ruan me kënaqesi dhe pasion statistikat e mia ….
Faleminderit familja ime për mbështetjen …
Jo më pak e rëndisishmja, do falenderoj veten që nuk u dorëzova kurrë para çdo sfide dhe askujt…
Luftoni çdo gjë dhe me këdo, për të ndjekur ëndrrat tuaja…. Kurrë mos hiq dorë nga ajo që ti e don më së shumti dhe mos ndryshoni për askënd. Ji vetvetja.”
Sipas statistikave, 600 golat e shënuar nga Megi Doçi, vijnë: 4 nga ekipi i Dardanisë, me të cilin nisi rrugën e bukur të futbollit femra, 22 gola me Tirana AS, 30 me Aden e Velipojës, dhe 544 me Vllazninë, me të cilin vazhdon të kontribuojë prej 10-të sezonesh futbollistë radhazi.
Gaspër MARKU