Përballja e së enjtes në mes Veleçikut të Koplikut dhe Beslidhjes së Lezhës, takim ky që u luajt në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe që përfundoi në barazim 1 me 1, krahas të tjerave, spikati edhe për atë që në formacionin e lezhjanëve kishte edhe disa futbollistë shkodranë. Ato nisnin nga porta me gardianin e njohur Erind Selimaj, për të vijuar me Dibrën, Ruqin, Hajdarin, Repajn, Rustjen, nderkohe qe Arenc Dibra mungonte per arsye demtimi, futolliste keto të cilët janë edhe shtylla e kësaj skuadre. Duke u ndalur tek porta, duhet thënë se nëse nuk arriti të fitojë Veleçiku, kjo erdhi edhe nga forma shumë e mirë sportive që paraqiti Selimaj, ku sidomos me rastet e shumta që patën vendasit nuk lejoi më prekjen e rrjetës së Besëlidhjes.
Në prononcimi e dhënë për Veriu Sport menjëherë pas ndeshjes, Selimaj pranon që Besëlidhja kishte ardhë për fitore, por edhe barazimi nuk ishte rezultat i keq. “Po, aty aty ishte loja, pak raste më shumë ato, pak raste më shumë ne. Ne kishim ardhë për fitore, por nuk mundëm të shkojmë më shumë se barazimi ë në një farë mënyre ishte rezultat i drejtë. Shpesojmë të kthehemi tek fitorja vitin tjetër.”, thotë Selimaj.
Faza e parë nuk ka prezantuar një Besëlidhje cilësore siç ishte parashikuar në fakt, dhe për këtë Selimaj sqaron se kanë pasur probleme shëndetësore në skuadër. “Kemi pasë uljet dhe ngritjet tona, dëmtimet na kanë penalizuar shumë, shumë herë kemi pasë edhe disa lojtarë me Covid në ekipin tonë duke mos qënë në pritshmëritë e duhura që kërkohet për ekipin tonë, siç e kërkon edhe presidenca e Besëlidhjes për të qënë realisht ekipi në pozita kryesimi.”, sqaron Selimaj.
Në kampin lezhjan janë shprehur hapur për përforcime cilësore në fazën e dytë, dhe këtë e pranon edhe Selimaj. “Deri më tani kanë ardhë tre lojtar për provë, por sipas informacioneve edhe të tjerë pritet të vijnë në vazhdim për të rritë konkurencën në skuadër dhe të pretendojmë për më lart në kalsifikim”, thotë ai.
Në lidhje me pretendimet e Besëlidhjes në këtë sezon futbollistik, Selimaj ka besim të plotë se skuadra me të cilën ai luan i ka mundësitë që të rikuperojë në fazat e tjera të kampionatit. “Për derisa pikët ekzistojnë, janë të gjithë mundësitë për të qënë pretendentë për vendin e parë, pasi nuk mungojnë kualitetet në skuadër si dhe njëkohësisht mbështetja nga ana e presidencës është e plotë.”, citon Selimaj.
Përpos Vllaznisë që ka mbajtur peshën më të madhe, karriera sportive e Erind Selimajt ka vijuar edhe me skuadra të tjera, brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe Kosovën ku luajti përpara se të firmoste për lezhjanët, për të cilën thotë se është i kënaqur. “I kënaqur jam për deri sa kam rënë dakort që të luaj me këtë skuadër për pak kohë, ndoshta në të ardhmen edhe mund të lëvizi në ndonjë skuadër tjetër, ose edhe këtu mirë jemi”, përfundon gardiani shkodran që mbron portën e Besëlidhjes këtë sezon futbollistik.
Gaspër MARKU