Teuta-Erzeni 1-2
(Shënues: L. Vila 48′ / Kahrimanoviç 54′, Nonato 69′)
Teuta: Qirko; Kotobelli, Kuro, Idrizaj, A. Marku; Beqja, Karabeci, E. Vila; L. Vila, Hebaj, Gruda. Trajner: Bledi Shkëmbi.
Erzeni: Xhika; Enk, Krasniqi, Sadiki; Kadriu, Kriviçiç, Mehmeti, Kahrimanoviç, Peposhi; Ademi, Nonato. Trajner:Xhevahir Kapllani.
Gjyqtar: Enea Jorgji (Elbasan), Astrit Mahmuti (Elbasan), Maringlen Llukmani (Vlorë). I katërt: Silvio Dyrmishi (Elbasan)
VAR Juxhin Xhaja (Tiranë)-AVAR Rejdi Zajimi (Tiranë)
Skuadra shijakase Erzeni e drejtuar nga trajneri Xhavahir Kapllani ka fituar derbin e Prefekturës teksa mundi sot Teutën e Durrësit me rezultatin 1-2.
Përr shkak të punimeve në stadiumin “Niko Dovana”, Teuta pritëse e luajti ndeshjen për llogari të javës së 12-të të Kategorisë Superiore në stadiumin e Rrogozhinës, Egnatia.
Një ndeshje derbi, me shumë emocione, që u ka buzëqeshur shijakasve, të cilët arrijnë të fitojnë me përmbysje.
Pjesa e parë ka nisur më e mirë për durrsakët, të cilët për shumë minuta kanë administruar lojën dhe në një moment kanë pretenduar për një 11-metërsh. Shijakasit nga ana e tyre janë rritur me kalimin e minutave dhe në fundin e fraksionit të parë kishin mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh. Gjithsesi, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë ka nisur me gol, janë durrsakët që gjejnë rrugën e rrjetës. Lorenco Vila ka arritur të mposhtë Xhikën, 1-0 për Teutën. Por festa e të besuarve të Shkëmbit ka zgjatur shumë pak, pasi në minutën e 54-ët është Kahrimanovic që ka vendosur barazpeshën me një gjuajtje nga distanca, 1-1.
Shijaksait godasin përsëri dhe kësaj radhe me golin e avantazhit. Është pikërisht minuta e 69-të, moment në të cilin Nonato firmosi 2-1 pas një aksioni model, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide. Me këtë fitore Erzeni ngjitet në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Teuta mbetet në vendin e fundit me 8 pikë, duke u fundosur akoma më shumë në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit.