Saturday, November 23, 2024

EURO 2024/ Prag Polonia, Gjasula & Ramadani në konferencë shtypi: Duhet përqendrim maksimal. Shkojmë në Varshavë për rezultat pozitiv!

Lexo

Kur kanë mbetur vetëm tre ditë nga sfida e parë kualifikuese kundër Polonisë, e vlefshme për Kampionatin Europian 2024, Kombëtarja shqiptare vijon të përgatitet në mënyrë intensive. Në konferencën e sotme zyrtare për media, dy mesfushorët kuqezi të skuadrës, Klaus Gjasula dhe Ylber Ramadani kanë folur për objektivat e Shqipërisë në takimin kundër polakëve në Varshavë.

Teksa iu përgjigj interesit të mediave, Klaus Gjasula nënvizoi se atmosfera në kampin kuqezi është shumë e mirë dhe ka shumë optimizëm se në Poloni, kuqezinjtë do të bëjnë mirë. Mesfushori shqiptar u shpreh se ndaj Polonisë vlen vetëm rezultati pozitiv, ndërsa foli edhe për trajnerin Silvinjo dhe pozicionin e tij në fushë me teknikun e ri.

Gjendja Fizike – Gjendja fizike është në rregull. Luajta 20 minuta në ndeshjen e fundit, isha ok, por të shohim si ecën stërvitja dhe se si do të vendosë trajneri. Por unë dua të kem minuta, do të jap maksimumin nëse luaj, dua të ndihmoj shokët.

Qendra e mbrojtjes – Po, do të isha gati të luaja edhe në qendër të mbrojtjes. Jam mësuar me atë rol. E vendos trajneri, por jam gati të luaj në mbrojtje.

Atmosfera – Kemi një frymëmarrje të re, trajneri ka shumë energji. Do të provojmë të japim maksimumin dhe të marrim një rezultat pozitiv. Jemi optimistë që do të bëjmë mirë.

Trajneri Sylvinho – Çdo trajner ka idetë e veta për të luajtur futboll. Kemi një skemë të re, të gjithë janë dakord dhe do të japin maksimumin për të arritur objektivin tonë. Trajneri na është dukur shumë mirë në ditët e para, me shumë emocion dhe energji, ka qenë shumë mirë deri tani. Trajneri Silvinjo na ka treguar idetë e veta, edhe pse nuk ka shumë kohë në krye të kombëtares. E dimë që në të ardhmen do të bëhet më mirë, duke kaluar më shumë kohë së bashku.

Ndeshja kundër Polonisë– Ne shkojmë në Poloni për të kapur maksimumin, por edhe një pikë është mirë.

Ndeshjet e kaluara me Poloninë – Të dy ndeshjet me Poloninë kanë treguar se mund të marrim të paktën një pikë. Ata kanë kualitete të mira. Do të jemi shumë të përqendruar që të mos bëjmë gabime. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi për atë ndeshje.

Ndërkaq, edhe mesfushori tjetër i Kombëtares, Ylber Ramadani theksoi se Kombëtarja ka si synim të vetëm rezultatin pozitiv në Varshavë, ndërsa nënvizoi se grupi aktual i kuqezinjve është shumë i mirë. Ndër të tjera, Ramadani foli edhe rreth trajnerit të ri të kombëtares dhe përshtypjet për të, formën e tij aktuale, si edhe çfarë do të bëjë Kombëtarja ndryshe kësaj radhe kundër Polonisë.

Çfarë do të bëjnë ndryshe kuqezinjtë kësaj radhe ndaj Polonisë? – Do të shkojmë në Poloni dhe t’i qasemi ndeshjes nga fillimi me shumë seriozitet dhe duhet të bëjmë maksimumin që të dalim nga Varshava me rezultat pozitiv.

Trajneri Silvinjo dhe ndryshimet me trajnerin Reja – Secili trajner ka idetë e veta dhe punën e tij. Deri tani, trajneri Silvinjo është treguar shumë pozitiv dhe na ka dhënë shumë përkrahje. Krijon shumë atmosferë kur stërvitet me ne dhe kjo është shumë gjë pozitive me ne.

Titullar ndaj Polonisë? – Do të bëj maksimumin dhe do stërvitem. Por është trajneri ai i cili e vendos se kush luan, ne duhet të përkrahim njëri-tjetrin.

Grupi i kuqezinjve, çfarë do të ndryshojë këtë edicion për të marrë rezultat? – Ekipi është shumë i mirë, grupi është shumë i mirë, por duhet të marrim më shumë vetëbesim dhe përgjegjësi secili dhe besoj se ky do të jetë suksesi për të ardhmen.

Partizani vazhdon të dërgojë lojtarë në Kombëtare –  Më bëhet qejfi, pasi aty kam luajtur një vit e gjysmë, kam kaluar momentet më të mira. Më vjen mirë që tradita vazhdon.

Në formë për të luajtur në formacion? – Do punoj shumë, si tek ekipi im, si këtu. Por, është trajneri ai që vendos. Unë kam ardhur të luaj, por nuk e kam problem nëse dikush luan përpara meje. Është kënaqësi të jem këtu dhe të mbështes çunat. Rëndësi ka të marrim rezultat pozitiv.

Gol nga mesfusha? – Duhet të provojmë më shumë portën, të bëjmë më shumë goditje në portë për të arritur te goli.

Pozicioni në fushë – Kur të pyet trajneri nëse e mbulon dot një pozicion në fushë, duhet ta bësh, dhe nuk e kam problem pozicionin në fushë.

Çfarë do të bëjë Kombëtarja ndryshe këtë radhë kundër Polonisë? – Duhet të merremi me detajet e vogla, dhe duhet të jemi të përqëndruar në ato detaje sepse kështu e pësuam edhe në ndeshjen e fundit. Të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri tek e fundit. Do të bëj maksimumin për Kombëtaren.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img