Federata Shqiptare e Futbollit është gati për të mirëpritur turneun e parë Europian për këtë vit. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve të grupit B6 të vlefshme për raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 për vajza.
Në grupin B6 bëjnë pjesë Shqipëria, Irlanda dhe Izraeli dhe në total do të luhen tre takime në stadiumin “Air Albania”.
Skuadrat e Irlandës dhe Izraelit kanë mbërritur në vendin tonë dhe po përgatiten për ndeshjet e raundit të dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 për vajza.
Gjithashtu edhe Kombëtarja shqiptare e vajzave U-17 ka nisur nga puna për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze. Trajneri Agustin Kola ka grumbulluar plot 20 futbolliste për këto sfida, me synimin e vetëm për të arritur vendin e parë në grup dhe për t’u ngjitur në Ligën A.
Sfida e parë në “Air Albania” do të jetë Shqipëri-Irlandë, në orën 14:00. Kjo ndeshje do të transmetohet live edhe në RTSH Sport.
Takimi i dytë i këtij grupi do të luhet më datë 23 shkurt në orën 11:30, mes Irlandës dhe Izraelit, teksa kjo sfidë do të transmetohet live në kanalin e FSHF-së në Youtube.
Sfida e fundit në “Air Albania” do të zhvillohet më datë 26 shkurt në orën 14:00. Shqipëria do të përballet me Izraelin dhe kjo ndeshje do të transmetohet live në RTSH Sport.
Gjithashtu hyrja në stadium “Air Albania” për të parë këto ndeshje do të jetë falas.