Tuesday, April 23, 2024

Dita e Liqenit-Dy ditë festë në qëndrën turistike të Shirokës. Muzikë, ekspozitë fotografike, panaire artizanale, peshkim, dhe Kupa “Enver Muriqi” për sportet e ujit

Lexo

Për dy ditë me radhë, qëndra turistike e Shirokës ishte arena e një spektakli të larmishëm, në progranin e të cilit ishin aktivitete, të cilat filluan me programin  kushtuar fëmijëve, me një panair artizanësh mjaft in teresantë të kësaj grupmoshe nga shkollat e  ndryshme të Shkodrës, për të vijuar më pas me promovimin e vlerave turistike të zonës së Liqenit të Shkodrës, traditen e artizanatit, të peshkimit, etj.

E mirëorganizuar nga kordinatorja e projektit, Aurora Piroviq, nën shoqërimin e muzikës dhe këngëtarëve shkodranë, festa e Liqenit të Shkodrës ka vijuar duke pasur në program aktivitete të tjera të larmishme, përfshirë edhe ekspozitën fotografike me pasurinë ujore të Liqenit të Shkodrës, panairin artizanal dhe atë gastronomik, etj.

Aktivitetin në fjalë e ndoqi nga afër kryebashkiaku i Shkodrës i cili në përshëndetjen e tij do të shprehej:” Dita e liqenit, është festa e të gjithëve.

Shiroka sot gumëzhin nga zërat e femijëve, të cilët shijojnë natyrën por edhe bëhen pjesë e festës së liqenit të Shkodrës. Liqen aq i pasur me një sërë atraksionesh natyrore, aktivitete dhe eksperienca kulinare tepër të veçanta. Çdo ditë e më tepër, promovimi i resurseve turistike është prioritet i yni dhe miratimi i lejeve zhvillimore të zonës janë dëshmi e një qasjeje ndryshe që Bashkia Shkodër ka për tjetërsimin dhe investimin në bregun perëndimor të Liqenit të Shkodrës. Në Shirokë do të nisin dy investime madhore, rruga Shirokë – Zogaj, dhe faza e dytë e rehabilimit të zonës së Shirokës. Pjesë e projekteve, tashmë të miratuara buzë liqenit të Shkodrës, do të jetë muzeu ujor në Shirokë dhe ndërtimi i dy moleve në Shirokë dhe në Zogaj më qëllim promovimin e kësaj pasurie natyrore që Shkodra e ka të sajën!”

Një spektakël më vete ishte edhe aktiviteti sportiv nën kujdesin e trajnerit të njohur të notit shkodran, Kolë Shiroka, me garat e notit, kanotazhit, si dhe ndeshjet e vaterpolit, ku si një traditë e kahershme e kësaj zone mori vemendjen dhe duatrokitjet e shumta të të pranishmëve. Aktivitet ky që u zhvillua në kuadrin e Kupës “Enver Muriqi”, një prej figurave më të spikatura të notit shkodran dhe atij shqiptar.

Muriqi, pjesë e një familje sportive që i ka dhënë notit shqiptar plot 18 kampionë,  është ndarë nga jeta pak muaj më parë në moshën 88 vjeçare duke lënë pas një karriere shumë të pasur sportive, si kampion dhe rekordmen me Vllazninë, Partizanin dhe ekipin kombëtar, për të vijuar më pas po aq i suksesshëm edhe në detyrën e trajnerit.

Për të nderuar figurën e kësaj legjende të notit shkodran dhe atij shqiptar, kishin ardhur sportistë, trajnerë dhe veteranë nga Shqipëria dhe Kosova, ndërkohë që presidenti i Federatës Shjqiptare të Notit, Agim Qiraku dhe kryetari i shoqatës së veteranëve të notit shqiptar, Sadik Mema, krahas përshëndetjeve të tyre për aktivitetin dhe figurën e Enver Muriqit, shpërndanë, Kupa, medalje dhe diploma për fituesit.

Aktivitetet në kuadrin e Festës së Liqenit kanë vijuar mbrëmjen e së shtunës me një koncert madhështor organizuar në qëndër të Shirokës, ku krahas numrit të madh të komunitetit shkodran, të pranishëm kanë qënë edhe turistë të shumtë nga vende të ndryshme europiane.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img