Kishte shansin më të mirë për të marrë pikët e plotë dhe për t’i dhënë drejtim “nëndetëses” Dinamo të dalë mbi sipërfaqe në kërkim të shpëtimit nga rënia në Kategorinë e Parë.
Por, “nëndetësja”, në kuptimin e mirë të fjalës, siç është njohur prej vitesh në opinionin futbollistik Dinano e rezultateve pozitive, me humbjen e pësuar sot ndaj Egnatias, këtë radhë është në rrezik tejet serioz.
Kursin e zhytjes së nëndetëses blu nuk e ndryshon dot as Vanoli, që pëson humbjen e dytë radhazi në pankinë e atë më të rëndën. Dinamo dorëzohet 2-0 në sfidën mbijetesë me Egantian, që jo vetëm siguron tashmë 7 pikë avantazh nga zona e rënies, por tregoi një superioritet evident ndaj një skuadre që pretendonte ta rivalizonte. Ramadani besoi te Pedro Augusto e nuk kishte si të ishte ndryshe, me braziliani që është pikë referimi dhe njeriu simbol i kësaj Egnatia. Në anën tjetër, Vanoli provoi ti përgjigjej me Ibraimin e Cinedun, të ndihmuar në krahë edhe nga Haxhiu, që u panë rrezikshëm vetëm në fillim të pjesës së parë.
Vrulli i Dinamos, me rrogozhinasit që prisnin, u duk se po e orientonin lojën në favor të kryeqytetasve, por as Bardhi në të 11’ e as Haxhiu 8 minuta më pas nuk arritën ti bënin keq Pujës. Kundërsulmi i miqve, megjithatë, rrezikoi ti ndëshkonte në të 22’, por kontaktin mes Xhekson e Mijas arbitri Meta nuk e konsideroi penallti. Shpëtoi akoma edhe më mirë Dinamo në minutën e 28-të sepse Egnatia arriti të shënojë golin e avantazhit, por festën e Pedro Augustos, Meta e anulloi pasi u thirr nga VAR për një faull të sulmuesit ndaj Mijës.
Dominimi i miqve tani është i dukshëm dhe kryeqytetasit duhet të mbrohen për të dalë pa dëme, por për të markuar Pedro Auguston është një mision i vështirë: jashtë goditja me kokë e brazilianit në të 34’, por takimi me golin vetëm është shtyrë. Në fund të kohës së rregullt, rrogozhinasit kalojnë me Ademin që devijoi në rrjetë në zhvillimet e një goditje dënimi, duke i çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes me avantazhin e merituar të Egnatias.
Vanoli nuk kishte më kohë për të humbur dhe Mihana e Rexhinaldo duhet të jepnin impulsin e munguar të pjesës së pare, por përpara se të sulmonin, Dinamo duhej të mbrohej nga një Pedro Augusto i pandalshëm. Sulmuesi impenjoi me të gjitha mënyrat mbrojtjen e Vanolit, që mundësinë më të mirë për të barazuar e kishin në të 77’, kur si Rexhinaldo ashtu edhe Çinedu nuk arritën të shtyjnë topin në rrjetë.
Mundësi e shpenzuar, gol i pësuar: me kryeqytetasit të spostuar përpara, Pedro Augusto kishte një autostradë të tërë për të tentuar dy herë portën e mbrojtur nga Harizaj, që arriti të ndalë vetëm të parën. Egnatia, me 30 pikë, sheh nga shpëtimi gjithnjë e më me shumë bindje. Për Dinamon janë telashe dhe makthi i kthimit andej nga erdhi pas vetëm një sezoni në elitë, duket se peshon më shumë se orientimet e Vanolit apo kujtdo që drejtoi nëndetësen në këtë sezon…