Një delegacion i Federatës Shqiptare të Futbollit ka zhvilluar një vizitë në Preshëvë, ku janë takuar me drejtuesit e klubit të futbollit Lugina dhe kryetaren e sapozgjedhur të Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Gjatë kësaj vizite është inaguruar edhe çelja e zyrës së FSHF-së, që do të drejtohet nga Nagip Jakupi, i cili do të jetë skauti i talenteve të reja në Luginën e Preshevës.
Fillimisht delegacioni i FSHF-së i përbërë nga dy legjenda të futbollit shqiptar, Sulejman Mema dhe Sulejman Demollari, aktualisht pjesë e FSHF-së dhe përfaqësues të zyrës PR të Federatës, kanë zhvilluar një vizitë në fushën stërvitore të KF Luginës ku kanë ndjekur nga afër një seancë stërvitore të ekipeve të moshave. Më pas është zhvilluar ceremonia simbolike e dhurimit të bazës materiale nga ana e FSHF-së klubin e Preshevës. Duke folur për mediat gjatë ceremonisë eksperti i futbollit në sektorin e ekipeve kombëtare në FSHF, Sulejman Mema shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe theksoi se do të punohet për të promovuar elementët që premtojnë për të ardhmen. Mema tha se FSHF gjithmonë e ka patur në vëmendje këtë komunitet dhe shembulli i preshevarëve të njohur, Berat Gjimshitit apo i Mimoza Hamidi ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi dhe krenarie.
“E kishim obligim për të ardhur deri në Preshevë, sepse ndihemi mirë që jemi këtu. Një detyrim që Federata Shqiptare e Futbollit dhe Presidenti Duka e kishin në vëmendje të veçantë për të qenë pranë jush, jo për këtë donacion simbolik, por për të nxitur këtë krahinë që me të vërtetë ka nxjerrë dy vlera të mëdha të futbollit shqiptar si Berat Gjimshiti dhe Mimoza Hamidi, futbollistja që luan në Kombëtaren shqiptare të femrave. Duke ditur që premisat janë të mira, ne kërkojmë që edhe kjo zonë të stimulohet për të promovuar elementët e rinj që ne do t’i ndjekim gjatë gjithë kësaj kohe. Nismëtari ka qenë zoti Nagip Jakupi, i cili do të jetë skauti zyrtar i FSHF-së në Preshevë”, – tha Mema.
Ndërsa, legjenda e futbollit shqiptar Sulejman Demollari, theksoi se mbështetja e FSHF-së për këtë komunitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen për ta ndihmuar çdo hap.
“Është një ditë me shumë emocion, edhe për ne që kemi ardhur sot këtu. Kjo mbështetje do të vazhdojë, edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe me dëshirën e madhe të Presidentit Duka. Dhe mbi të gjitha që komuniteti shqiptar të ndihet mirë, të ndihet edhe pranë futbollit dhe pranë Federatës tonë. Ju uroj suksese! Kjo do jetë një ndihmesë e përbashkët”, – tha Demollari.
Më pas iu dorëzua edhe licenca e skautit, Nagip Jakupit dhe tashmë FSHF ka një zyre dhe një përfaqësues të saj për zbulimin e talenteve në Preshevë. Detyra e Jakupit është të ndjekë në vijimësi ecurinë dhe zhvillimin e talenteve nga kjo zonë dhe të informojë FSHF për zhvillimin e tyre.
Jakupi u shpreh mjaft i lumtur për këtë bashkëpunim dhe vlerësoi këtë iniciativë, që do të mbështesë zhvillimin e futbollit në Preshevë.
“I falënderoj të gjithë mediat që janë prezente në këtë aktivitet, që sot zyrtarisht është për herë të parë në historinë e futbollit të Preshevës dhe në historinë e Federatës Shqiptare të Futbollit që vizitohet dhe ka një bashkëpunim mes klubit dhe Federatës. Për ne është një kënaqësi shumë e madhe që sot presim delegacionin e Federatës, duke na dhuruar donacione, duke bashkëpunuar në licencimin e trajnerëve, kualifikimin e gjyqtarëve dhe gjithë organizimet që ka Federata në Shqipëri. Për licencimin si skaut dua të falënderoj presidentin Armand Duka, i cili ka besuar tek unë, që të jem unë skauti i Kombëtares kuqezi për Luginën e Preshevës. Edhe njëherë faleminderit!”, – tha Jakupi.
Ndërkaq, delegacioni i FSHF-së është pritur në një takim nga Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila u shpreh mjaft e kënaqur për këtë vizitë dhe për vëmendjen e Federatës së Futbollit për Luginën e Preshevës. Gjithashtu, znj. Sinani premtoi se do të mbështesë klubin e Preshevës me të gjitha mundësitë duke krijuar mundësitë për investime në infrastrukturë dhe për masivizimin e futbollit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FSHF-së, Mema e Demollari, u zotuan se Federata do të jetë gjithmonë pranë komunitetit sportdashës të Preshevës, jo thjesht me bazë materiale, por edhe me kualifikime të ndryshme trajnerësh apo vëzhgim të talenteve.