Sunday, November 24, 2024

FSHF-Mbyllet kursi i tretë për video-analistë, diplomohen edhe tre shkodranët, Ardit Mani, Ergi Borshi dhe Samel Zyberi

Lexo

Federata e Futbollit ka përmbyllur me sukses edicionin e tretë të kursit për video-analistë futbolli. Ky kurs startoi më 19 prill nën udhëheqjen e drejtuesit të Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në FSHF, Alarico Rossi, dhe zgjati rreth 10 ditë. Duhet thënë se interesi për këtë profesion të ri në botën e futbollit, që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm, ka qenë i lartë gjë që e tregon edhe pjesëmarrja.

Pjesë e këtij Kursi ishin edhe tre përfaqësues të sportit shkodran, dy ish futbollistët dhe sot trajnerë të moshave në futboll, Ardit Mani dhe Ergi Borshi, si dhe Samuel Zyberi, i aktivizuar në futbollin amator, si futbollist dhe trajner.

Në përfundim të provimeve është zhvilluar edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit që kaluan edhe testin final. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i cili vlerësoi punën që po bëhet nga Sektori i Edukimit në Federatë për rritjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të shumë profileve të reja që punojnë në botën e futbollit, gjë e cila do të rrisë dhe përafrojë futbollin shqiptar me atë ndërkombëtar dhe me standartet më të larta.

Sipas Alarico Rossi-t, drejtuesit të Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në FSHF, ky kurs është një mundësi e mirë për të gjithë ata që punojnë në fushën e futbollit për të kuptuar se si mund të aplikohen teknologjitë e reja në futboll.
“Të investosh në edukimin e analistëve do te thotë të investosh në të tashmen e në të ardhmen e futbollit shqiptar dhe falë kësaj figure, jo vetëm trajnerët, por sidomos klubet do të kenë në dispozicion më shumë resurse dhe informacione për të marrë vendime të rëndësishme. Ne jemi shumë të kënaqur për përfundimin me sukses të kursit të tretë për analistë futbolli. Ky është një projekt shumë i madh i Federatës. Shqipëria e futbollit beson te ky projekt që ne kemi nisur. Kemi disa klube në Kategorinë Superiore dhe në Kategorinë e Parë që kanë analistë futbolli. E kemi filluar nga zero këtë profesion në Shqipëri dhe jemi duke u rritur për t’iu afruar futbollit ndërkombëtar. Federata është duke ndihmuar të gjithë klubet në këtë drejtim. Në nivel ndërkombëtar ky profesion është shumë i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar nga trajneri. Ne përpara këtij kursi kishim shumë kërkesa por për shkak të Covid jo të gjithë mund të merrnin pjesë”, përfundoi drejtuesi i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në FSHF.

Për Ardit Manin, aktualisht trajner moshash pranë Shoqatës së Futbollit Shpresa, si dhe mjaft aktiv në organizimin e veprimtarive të ndryshme futbollistike në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit Shkodër, liçensimi në sektorin e video-analistit të futbollit është një ndihmesë e madhe në aktivitetin e tyre pranë sportit të futbollit. Sipas tij, me përvojën disa vjeçare pranë futbollit, si dhe me dijet e fituara në këtë kurs, ai dhe kolegët e tij, Borshi dhe Zyberi, tashmë janë të gatshëm të japin kontributin e tyre si video analistë profesionistë pranë ekipeve të futbollit në Shkodër dhe më gjërë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img