Tirana-Vllaznia, ose ndryshe klasikja e futbollit shqiptar në vite, që tashmë po futet në traditë edhe për femrat është dominuar terësisht, me lojë dhe rezultat nga skuadra kuqeblu, e cila ka rritur të fitojë në transfertë me rezultatin 0 me 4. Ndeshja që luhej për llogari të javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të futbollit për femra ka nisur me epersinë e Vllaznisë duke krijuar presion në portën kundërshtare deri sa gjen golin e avantazhit në minutën e 16-të përmes kapitenes Esmeralda Franja. Minutat në vazhdim kanë një farë barazpeshe në fushën e lojës, gjë që ndikon në mbajtjen e rezultatit në fuqi duke e mbyllur pjesën e parë me rezultain 0 me 1 në favor të Vllaznisë.
45 minutat e pjesës së dytë vazhdojnë të jenë të dominuara nga skuadra shkodrane, ndërkohë që ka përpjekje edhe nga skuadra bardheblu për të barazuar rezultatin. Një situatë e tillë shkon deri në minutën e 61-të kur Vllaznia shënon golin e dytë me anë të durrsakes që luan për ngjyrat kuqeblu, Luçie Gjini. Ky është goli i qetësisë për Vllazninë, por që në vazhdim do të ketë edhe dy gola të tjerë në favor të skuadrës kuqeblu. Dhe është përsëri Gjini që shënon në të 89-tën golin e tretë për skuadrën e saj dhe të dytin personal, ndërkohë që Megi Doçi shënon një tjetër gol në kohën shtesë, në të 91-tën duke fiksuar përfundimsiht fitoren e Vllaznisë me rezultatin 0 me 4.
Fitore kjo që e ngjit skuadrën kuqeblu në kuotën e 39 pikëve duke treguar edhe një herë që është e pathyeshme nga asnjë skuadër tjetër e futbollit të femrave në Shqipëri. Kësisoj, Vllaznia vijon të kryesojë kampionatin pa asnjë humbje, madje edhe pa asnjë barazim, çka tregon se skuadra e drejtuar nga trajnerët Nikolin Leka dhe Arben Parmeza dhe e mbështetur fuqimisht nga presidenti Lazër Matija vazhdon të jetë skuadra absolute e futbollit të femrave në Shqipëri.