Thursday, March 28, 2024

Shkodranja Angela Çoba, pjesë e kombëtares Italiane të Volejbollit

Lexo

Volejbolli italian ka rrëmbyer një talente shqiptare duke e bërë pjesë të kombëtares azzure. Bëhet fjalë për 15 vjeçaren Angela Çoba, vajzën e ish volejbollistit të njohur shkodran, Gjon Çoba, i cili prej shumë vitesh ka zgjedhur Italinë të jetojë me familjen e tij.

Aktivizimet e suksesshme me ekipin “Visette Volley” në kategoritë e moshave, U-15, U-17 dhe B1, kanë bërë që specialistët përkatës pranë Federatës Italiane të Volejbollit të pikasin talenten shqiptare duke e përfshirë në listën e 18-të të përzgjedhura për kombëtaren e Italisë. Kështu, talentja shqiptare, Angela Çoba është e vetmja e huaj që do të luajë për kombëtaren azzure në Turneun Kualifikues të ËEVZA për Kampionatin Evropian U-16, aktivitet që starton në fund të muajit maj.

Sipas përfaqësuesve të federatës italiane të volejbollit, përfshrja e shkodranes Angela Çoba në kombëtaren e tyre konsiderohet një sukses jo i vogël për to, pasi kemi të bëjmë me një pasuese të nivelit të lartë, nivelet e së cilës do të kenë një shpërthim gjigand në kalimin e moshave më të rritura. Të kënaqur me ecurinë pozitive të Angeles janë edhe drejtuesit e klubit italian  ku aktivizohet “Visette Volley”, aty ku drejton edhe babai i saj, Gjon Çoba, të cilët në një deklaratë zyrtare kanë përshendetur thirrjen e saj në kombëtaren Italiane, ku ndër të tjera theksohet se “kjo është dëshmi e punës së shkëlqyer të bërë jo vetëm nga stafi, por edhe vetë Gjon Çoba së bashku me vajzën tjetër të këtij ekipi Claudia Talerico, të dyja të datëlindjes 2006.”

Një jetë të tërë me volejbollin, Gjon Çoba është bërë shumë i njohur,  fillimisht në Shqipëri duke spikatur si pasuesi perfekt i Vllaznisë, skuadër me të cilen pati suksese në karrieren e tij sportive, aq sa në përvjetorin e 100-të të klubit Vllaznia u shpall edhe “Volejbollisti i Shekullit”, ndërkohë që pas vitit 1990 e në vazhdim kontribuon në volejbollin italian.

Sukseset e tij, fillimisht si volejbollist dhe sidomos më pas si trajner me ekipin e femrave “Volej Modena”, ku arriti të fitojë të githa trofetë italiane dhe të luajë edhe “Champions League të Europë s”, kanë bërë që edhe dy vajzat e tij, Iris dhe Angela të ndjekin traditen e babait.

E para që e nisi rrugën e bukur të volejbollit është Irisi, vajza e madhe e Gjon Çobës, e cila pasi spikati me shumë sukses në klubet italiane, më pas, pasionin e saj për volejbollin po e vazhdon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku menaxherët përkatës kanë tregues interes për parametrat e saj mjaft cilësore.

Ndërkohë, Angela 15 vjeçare, ka vendosur që karrieren e saj sportive ta vazhdojë në volejbollin italian. Inteëresante është se që të dyja vajzat e Gjon Çobës luanjë në pozicionin e pasueses, pikërisht atë që ka pasur babai i tyre në karrieren sportive duke u cilësuar si më i miri i Vllaznisë dhe kampionatit shqiptar për këtë pozicion.

Veriu Sport, pati një komunikim të drejtpërdrejtë me ish volejbollistin e njohur shkodran, Gjon Çoba, prej të cilit mësoi emocionet që ai po përjeton për rritjen e cilësisë së vajzave të tija volejbolliste. “Kjo është puna që unë di të bëj më mirë. Gjithë jetën ia kam kushtuar sportit të volejbollit, fillimisht në Shqipëri dhe tashmë në Itali, dhe natyrisht që edhe vajzat duke qënë gjatë të gjithë kohës pranë meje në stervitje dhe ndeshje morën këtë pasion, që natyrisht më gëzon pa masë.”, thotë Gjoni për Veriu Sport.

Ndërkohë, i pyetur për praninë e vajzës së tij Angela në kombëtaren Italiane dhe jo atë Shqiptare, Gjoni përgjigjet: “Kombëtarja kuqezi është gjithmonë më e preferuara për shqiptarët, sidomos për ne që jemi jashtë, natyrisht edhe për vajzat e mija, por me keqardhje mund t’ju them se në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë lloj interesimi nga Federata Shqiptare e Volejbollit, ndaj vlerësimit të Federatës Italiane për të luajtur për të, Angela iu përgjigj pozitivisht.”

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img