Federata e Futbollit të Jordanisë ka paraqitur zyrtarisht një ankesë pas humbjes së skuadrës së femrave më 25 shtator kundër Iranit, e cila i kushtoi kualifikimin në Kupën e ardhshme të Azisë. Me atë rast, portierja iraniane, Zohreh Koudaei ishte vendimtare në pritjen e dy penalltive dhe ajo ra në sy të Jordanisë, e cila kërkon të verifikojë identitetin e saj gjinor duke pyetur nëse ajo është vërtet femër.
Kërkesa zyrtare është bërë e ditur në Twitter nga ish-nënkryetari i FIFA-s, Princi Ali Bin Al Husein i Jordanisë, shoqëruar me mesazhin e mëposhtëm: “Nëse është e vërtetë, një problem shumë serioz”. Dokumenti, bashkangjitur tweet-it, thotë: “Ne kërkojmë verifikimin e identitetit gjinor të një lojtareje të ekipit kombëtar iranian. Ne e dimë se sipas nenit 47 të rregullores së Kupës së Azisë për femra, verifikimi i identitetit gjinor nuk është i detyrueshëm për pjesëmarrjen e lojtarëve por në çdo rast neni i AFC-së lejon të hetohet nëse ka dyshime për të drejtën e një sportisti. Duke marrë parasysh provat e ofruara nga ne dhe rëndësinë e ndeshjes, kërkojmë që të fillojë një hetim nga mjekë të pavarur”.
Koudaei në të kaluarën i është dashur të përballet me të njëjtat akuza, dhe është mbrojtur në gazetat iraniane. Trajnerja e përfaqësueses, Maryam Irandoost komentoi: “Diskutimi për gjininë e portieres është vetëm një justifikim për të mos pranuar humbjen e pësuar ndaj femrave iraniane”.