Kupa e Shqipërisë për femra fillon këtë fundjavë. Kompeticioni i dytë më i rëndësishëm pas kampionatit do të nisë nga dita e nesërme me turin para-eliminator, me 11 skuadra që janë në garë për të fituar këtë titull të rëndësishëm.
Pesë ekipet e para të renditjes, Vllaznia, Apolonia, Tirana, Partizani dhe Murlani do të kalojnë direkt në çerekfinale, ndërsa fundjava do të rezervojë tre përballje interesante mes ekipeve që renditen më poshtë, për të siguruar një biletë për në çerekfinale. Ndeshjet do të jenë me sistem eliminimi direkt, sipas shortit të përcaktuar.
Kështu, sfida e parë do të luhet ditën e shtunë, me Kinostudion që do të përballet me ekipin e Lushnjes në Kamëz, me kryeqytetaset që duken më të favorizuara për të kaluar në fazën tjetër me 13 pikë të grumbulluara në 10 ndeshje të luajtura, teksa Lushnja ka arritur të marrë vetëm një fitore. Ndeshja do të luhet duke nisur nga ora 13:00.
Sakaq, të dielën do të luhen 2 sfidat e tjera, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet në Durrës, ku Teuta do të presë në shtëpi ekipin e Skënderbeut, me të dyja skuadrat që kanë pasur luhatje në kampionat dhe përballja duket e vështirë për të dyja ekipet. Ndeshja nis nga ora 12:00, ndërsa nga ana tjetër, një tjetër sfidë do të luhet në Shkodër. Kryeqytetaset e Tirana AS do të udhëtojnë drejt qytetit verior, teksa do të përballen me Atletik Club, një sfidë jo e lehtë për të dyja ekipet, që një fitore do t’i dërgonte në fazën tjetër. Sfida nis nga ora 14:30.
Tre ekipet e dala nga ky tur para-eliminator do të vijojnë rrugëtimin për në çerekfinale, ku do të gjejnë pesë skuadrat që renditen në “TOP 5” në kampionat.
Ndeshjet e turit para-eliminator:
E shtunë/ Kinostudio – Lushnja, ora 13:00
E diel / KF Teuta – Skënderbeu, ora 12:00
E diel / Atletik Club – Tirana AS, ora 14:30