I zhvilluar në dy ditë, Kampionati Kombëtar i futbollit për femra ka mbyllur javën e nëntë të tij. Më herët, konkretisht ditën e djeshme ju njohëm me kronikën e derbit shkodran, Vllaznia-AAS, takim që kishte histori sepse skuadra kuqeblu nuk la shteg për diskutime pasi realizoi një fitore tenistike me shifrat 16 me 0 duke mos e lëshuar vendin e parë edhe pas kësaj jave ku kryeson me 27 pikë. Ndërkohë, në takimet e tjera të kësaj jave rivalja më e afërt e Vllaznisë, Apolonia e Fierit mundi në fushën e saj Juban Danja-Murlanin me rezultatin 4 me 0 dhe gjendet në vendin e dytë me 24 pikë. Për Apoloninë autoret e golave janë Gashi me një dy golësh në minutën e 31 dhe 40 dhe një gol të Armukut në minutën e 41 ndërkohë që Gashi shënon përsëri në minutën e 75 golin e katërt për Apoloninë dhe golin e tretë personal.
Derbi i kryeqytetit mes Kinostudios dhe Tirana AS është mbyllur në favor të Tirana AS. Një ndeshje e luftuar nga të dyja palët, ku goli i parë erdhi në minutën e 43-të me anë të Trokës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1. Në pjesën e dytë, Tirana AS i gëzohet dopietës së Goufam, në minutën e 70-të dhe të 83-të. Kinostudio shënon golin e nderit me Cyme Lulaj në minutën e 86, duke regjistruar shifrat finale të ndeshjes 1-3. Tirana AS është ngjitur në vendin e katërt me 19 pikë ndërsa Kinostudio renditet e gjashta në kuotën e 15 pikëve.
Në Korçë vendaset e Skënderbeut mundin Lushnjën me rezultatin e thellë 10-1. Autore të golave për Skenderbeun janë Repa që në minutën e 5-të, teksa dyfishojnë rezultatin me Potomin në minutën e 11-të. Në të 33-n minutë, Potomi shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për korçaret. Lushnja ngushton shifrat 3-1 me Balin, ndërkohë që në pjesën e dytë, korçaret shpërthejnë dhe shënojnë edhe 7 gola të tjerë, me dy dopieta që mbajnë emrin e Milos dhe Nickut dhe nga një gol të shënuar nga Malaveci dhe Morava. Me këtë fitore ekipi i korçareve është ngjitur në vendin e nëntë me 6 pikë, ndërsa lushnjaret gjenden në vendin e parafundit me 3 pikë.
Skudra tjetër kryeqytetase, KF Tirana ka fituar me rezultatin e thellë 13-0 ndaj Bilishtit. Një ndeshje e lehtë për vajzat e Tiranës, të cilat i afrohen vendit të dytë që mbahet nga Apolonia, me dy pikë më shumë.
Partizani ka mundur në transfertë Teutën e Durrësit me shifrat 2-8. Për vajzat e kuqe, serinë e golave e hap Agalliu, që në minutën e dytë, teksa në të 17-n Begallo dyfishon rezultatin. Në minutën e 27-të, Dida shënon autogol dhe i dhuron golin e tretë Partizanit. Në të 40-n, Koka shënon golin e katërt dhe pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-4. Teuta reagon në minutën e 52, me anë të Malaj, por gëzimi për vajzat e detit zgjat vetëm 20 minuta, pasi në të 72-n Xhymerti shënon golin e pestë. Golat e tjerë u shënuan nga Tabak në të 77-n dhe Begallo në minutën e 79 dhe 88. Teuta shënoi golin e dytë dhe të fundit në minutën e 81.
Pas javës së nëntë, renditja e skuadrave është si më poshtë:
Vllaznia 27 pikë
Apolonia 24 pikë
Tirana 22 pikë
Tirana AS 19 pikë
Juban Danja 18 pikë
Kinostudio 15 pikë
Partizani 12 pikë
AAS 9 pikë
Skenderbeu 6 pikë
KF Teuta 6 pikë
Lushnja 3 pikë
Bilisht Sport 0 pikë