Vllaznia në futboll për femra duket se po e bën zakon që t’i mundë skuadrat me rezultat të thellë. Shifra 8 me 0 në favor të skuadrës kuqeblu, rezultat që përsëritet për të dytën herë në harkun kohor të tre ditëve. Fillimisht, fitorja me këto shifra 8 me 0 ishte ndaj Tiranës AS, takim ky i vlefshëm për gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë ku Vllaznia siguroi finalen për t’u ndeshur me Apoloninë e Fierit, fituesen e çiftit tjetër gjysëmfinal.
Rikthimi në ndeshjet e Kampionati Kombëtar për Vllazninë ishte me një tjetër ndeshje në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës ku priti sot Lushnjen. 8 me 0 përfundoi edhe kjo ndeshje në favor të skuadrës kuqeblu, në një ndeshje që foli e tëra për skuadrën shkodrane të drejtuar nga trajneri Nikolin Leka.
Serinë e golave për ekipin e Vllaznisë e hapi kapitenia Esmeralda Franja në minutën e 26-të, për të vijuar me Megi Doçin në minutën e 35-të dhe Arlinda Kodrën në të 40-tën minutë duke e mbyllur kësisoj pjesën e parë në avantazh me shifrat 3 me 0.
Në 45 minutat e pjesës së dytë, futbollistet kuqeblu tundin edhe plot 5 herë rrjeten e skuadrës lushnjare. E fillon Matilda Gjergji në minutën e 46-të, për të vijuar me Arlinda Kodrën në të 53-ten minutë, Megi Doçin 54’, Arbiona Brocaj 60’, për ta mbyllur përsëri me Megi Doçin në minutën e 78-të, goli i 8-të për Vllazninë dhe i treti personal për Doçin. 8 me 0 për Vllazninë përballë një Lushnje, e cila e drejtuar nga trajneri Hekuran Koreshi që edhe pse u mund thellësisht, me vajzat e reja që kishte në formacion premton për të ardhmen.
Me këtë fitore tre pikëshe, Vllaznia ngjitet në kuotën 36 pikëve duke vijuar të kryesojë Kampionatin Kombëtar të kategorisë Superiore. Një skuadër që tashmë është shprehur haptazi që kërkon të fitojë të dy trofetë e sezonit, Kupë dhe Kampionat.