Formacioni-Shqipëria: Rexhepi, Gjergji, Maliqi, Curraj, Gjini, Franja, Hila, Maksuti, Krasniqi, Hamidi, Doçi (c). Trajner: Armir Grima
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll për femra, e drejtuar nga trajneri shkodran, Armir Grima, ka triumfuar në transfertën e Kosovës, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.
Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka nxjerrë fitimtare vajzat kuqezi, të cilat ishin dukshëm më superiore se kundërshtaret.
Trajneri Grima e nisi lojën me këtë formacion: Rexhepi, Gjergji, Maliqi, Curraj, Gjini, Franja, Hila, Maksuti, Krasniqi, Hamidi, Doçi (c).
Pjesa e parë e ndeshjes ishte mjaft e kontrolluar nga të dyja ekipet, që luajtën mirë me topin. Vajzat kuqezi kaluan fillimisht në avantazh me Kristina Maksutin, e cila shfrytëzon më së miri një pasim të Qëndresa Krasniqit, që futet bukur brenda zone dhe asiston për Maksutin që e dërgon topin në rrjetë. Minuta e 19-të dhe Shqipëria kalon në epërsi. Në minutën e fundit të kohës së plotë, Megi Doçi dyfishon shifrat për Shqipërinë, pas një super goditjeje që tundi rrjetën. Në kohën shtesë, Kosova ngushton shifrat me Biqkaj.
Kombëtarja e Shqipërisë arrin të shënojë një tjetër gol në pjesën e dytë, këtë radhë me anë të Qëndresa Krasniqi, e cila godet topin nga jashtë zone, duke shtangur portieren vendase dhe duke vulosur rezultatin në 1-3. Një ndeshje mjaft e bukur kjo nga skuadra kombëtare e femrave, që me këtë fitore mbyll ndeshjet për vitin 2021.
Me këtë fitore, kombëtarja kuqezi e drejtuar nga trajneri, Armir Grima, renditet e katërta në grupin F me 7 pikë, duke lënë pas Kosovën dhe Armeninë, duke përmbushur në një farë mënyre edhe objektivat për këtë fazë eleminatore të Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”. Norvegjia, e cila fitoi pak ditë më parë në Tiranë kryeson grupin F, e ndjekur nga Polonia e Belgjika duke lënë në vend të katërt Shqipërinë.