Thursday, April 25, 2024

Futboll Femra-Të dielen, java e 11-të e kampionatit, spikasin duelet, Vllaznia-Teuta dhe Kinostudio – Tirana

Lexo

Kjo fundjavë do të mirëpresë javën e 11-të të kampionatit kombëtar të futbollit të vajzave, që tashmë ka hyrë në një fazë delikate. Tre prej takimeve të kësaj jave do të luhen ditën e diel, teksa dy ndeshje të tjera, përkatësisht Apolonia – Partizani dhe Skënderbeu – Lushnja janë shtyrë për shkak të impenjimeve të futbollisteve me ekipet kombëtare dhe do të zhvillohen në një moment tjetër që do të përcaktohet nga Departamenti i Garave në FSHF.

Spikasin këtë fundjavë duelet, Vllaznia-Teuta dhe Kinostudio-Tirana, takime këto që nisin në të njëjtin ora, atë 14:30.  Skuadra kampione në fuqi e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, Vllaznia pret në stadiumin “Reshit Rusi” Teutën e Durrësit . Një ndeshje e lehtë në letër për kampionet në fuqi të vendit, që në 11 javë kampionat kanë siguruar 11 fitore radhazi, por gjithësesi, durrsaket vijnë në Shkodër për të treguar vlerat më të mira, gjë që pritet ta bëjë edhe më të bukur takimin. Skuadra kuqeblu vjen në këtë ndeshje pas fitores së thellë realizuar javën e kaluar ndaj ekipit të Laçit me rezultatin 12-0 dhe është e vendosur që deri në fund të kampionatit të vijojë me vetëm fitore për të realizuar objektivin e fitimit të titullit të dhjetë kampion radhazi. Por, përpos kampionati, Vllaznia është në lojë edhe për Kupën e Shqipërisë ku ka fituar të drejtën e kualifikimit në finale, duke pasur edhe në këtë kompeticion fitimin e trofeut.

Me shumë interes pritet këtë javë edhe përballja, Kinostudio – Tirana që është edhe derbi i kryeqytetit. Takimi në fjalë do të luhet të dielën, në ora 14:30 në QSK Kamëz. Vajzat bardheblu janë më të favorizuara në këtë takim, teksa do të kërkojnë vetëm fitoren ndaj Kinostudios për të mos lëshuar vendin e dytë në kampionat. Nga ana tjetër, Kinostudio vjen pas humbjes me Apoloninë javën e kaluar, teksa ndaj Tiranës do të kërkojë ringritjen

Takimi i tretë dhe i fundit për këtë javë do të luhet në veri të vendit. Kukësi do të përballet me Laçin në këtë javë të 11-të, teksa të dyja ekipet janë në kërkim të tre pikëve. Ndeshja është planifikuar të luhet ditën e diel, në ora 15:00, në fushën sportive të Barbullushit, duke qënë se pjesa më e madhe e skuadrës kuksiane përfaqësohet nga futbollistet e ekipit të Murlanit të Barbullushit..

Ndeshjet e javës së njëmbëdhjetë në kampionatin e vajzave:

Kinostudio – Tirana, e diel, ora 14:30

Vllaznia – Teuta, e diel, ora 14:30

Kukësi – KF Laçi, e diel, ora 15:00

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img