Kampionati Kombëtar i futbollit për femra U-15, i pari i këtij lloji që FSHF po aplikon në këtë sezon futbollistik, për javën e tretë të Grupit A ka pasur në kalendar derbin shkodran, Vllaznia-Murlani. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës ka përfunduar me rezultatin 3 me 1 në favor të Vllaznisë. Golat për skuadrën kuqeblu që drejtohet nga trajneri Oliver Matija u shënuan nga Arlindja Kodra, Juarda Aliaj dhe Emi Blinishta, ndërkohë që për Murlanin golin e vetëm e shënoi Rosela Vasa.
Kjo është fitorja e tretë radhazi në tre javë kampionat për Vllazninë, e cila më herët ka fituar 8 me 0 ndaj Kinostudios dhe 5 me 1 ndaj Teutës. Një fitore të rëndësishme në javën e tretë realizoi edhe Kinostudio, e cila mundi me rezultatin 3-2 Teutën duke vijuar të ndjekë Vllazninë në vendin e dytë me 6 pikë.
Renditja e grupit A pas javës së tretë:
- Vllaznia 9 pikë
- Kinostudio 6 pikë
- Teuta 3 pikë
- Murlani 0 pikë