Friday, April 26, 2024

Futboll femra, Vllaznia likujdon edhe Apoloninë, kryeson e vetme me 12 pikë

Lexo

Stadiumi “Loro Boriçi” i qyteti të Shkodrës përjetoi pasditën e së dieles emocionet e një sfide rivalësh për titull në futbollin e femrave. Në fushën e lojës u ndeshën, Vllaznia vendase dhe Apolonia mysafire, të cilat pas tre fitoreve radhazi vinin në këtë takim të javës së katërt me pikë të barabarta. Një sfidë kjo, që për vetë rëndësinë që paraqiste në lidhje me fatin e kreut të tabelës, Rtsh Sport e përcolli drejtpërdrejt nga stadiumi “Loro Boriçi” duke kompensuar në një farë mënyre pamundësinë e tifozërisë shkodrane e më gjërë për ta ndjekur në shkallët e stadiumit. Megjithë përpjekjen e skuadrës fierake për të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje, Vllaznia doli fituese me rezultatin 2 me 0. Fitorja kuqeblu u arrit përmes dy golave personal të Megi Doçit shënuar që të dy në pjesën e parë, përkatësisht në minutat 30 dhe 35-të. Edhe pse në vazhdim të ndeshjes, pati raste të shumta shënimi në të dyja portat respektive, kryesisht në atë të skuadrës mike, rezultati nuk ndryshoi më duke mbajtur në fuqi shifrat 2 me 0 në favor të Vllazninë.

Krahas çiftit Vllaznia-Apolonia(2-0), po pasditen e së dieles u luajt edhe ndeshja tjetër, Bilisht Sport-Kinostudio që u mbyll me fitoren e thellë 0 me 17 të ekipit Kinostudio. Ndërkohë, më herët, pasditen e së shtunës janë luajtur edhe katër çiftet e tjera të javës së katërt, të cilët dhanë këto rezultate:

Teuta  – Skenderbeu 1-2             

Tirana AS – Juban Danja 0-2     

AAS – Lushnja     2 – 0

Partizani – Tirana   1 – 4

Me fitoren e realizuar ndaj Apolonisë, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, shkëputet e vetme në krye të tabelës së klasifikimit me 12 pikë duke u bërë me dije rivalëve që pretendojnë t’i marrin fronin kampionëve në fuqi, se do ta kenë shumë të vështirë një gjë të tillë. Pas Vllaznisë, në vendin e dytë renditen 4 skuadra me pikë të barabarta, nga 9 të tilla, Tirana AS, Apolonia, Tirana, Juban Danja. Më pas vijnë, Kinostudio, Partizani dhe AAS me nga 6 pikë. Skenderbeu dhe Teuta renditen në vendet 9 dhe 10 me nga 3 pikë, ndërkohë që Lushnja dhe Bilisht Sport mbyllin tabelen e klasifikimit me 0 pikë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img