Ashtu si kategoria e parë, edhe ajo e së dytës ka startuar këtë fundjavë me ndeshjet e para të Kampionatit Kombëtar të vitit 2021. Ballafaqimet e sotme ishin në kuadrin javës së nëntë, e cila korespondon edhe me javën e parë të fazës së dytë të kampionatit.
Ada e Velipojës, pjesë e grupit A, këtë javë luajti në shtëpi duke pasur përballë ekipin Internacional, ndeshje kjo e zhvilluar pasditen e sotme në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës. Edhe pse skuadra mike arriti të kalojë e para në avantazh, që në minutën e nëntë me anë të Dacit, vendasit e drejtuar nga trajneri-lojtar, Admir Mehja, arriten ta përmbysin rezultatin në favorin e tyre. Fillimisht ka qënë Roland Shkreli, i cili në minutën e 40-të shënon golin e barazimit duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 1 me 1. Pas pushimit mes dy pjesëve, skuadrat janë rikthyer në fushën e lojës, secila, me mission për ta fituar ndeshjen. Kështu që, gjatë të gjithë minutave të kësaj pjese rastet për shënim kanë qënë të pranishme në të dy portat respektive. Megjithatë, vendasit tregojnë se janë më këmbëngulës për të marrë tre pikëshin, dhe këtë ia arrijnë falë golit mjeshtor të realizuar nga Sajdi Guri në minutën e 80-të ndeshjes. 2 me 1 për Aden, rezultat ky që qëndron në fuqi deri në përfundim të ndeshjes duke zyrtarizuar tre pikë shumë të rëndësishme që e mbajnë skuadrën velipojake në vendin e tetë me 11 pikë të grumbulluara.
Në ndeshjet e tjera të ditës së sotme Luzi mund Valbonën me rezultatin 2 me 1, Shkumbini fiton në transfertë me Gramshin 0-3, ndërkohë që derbi i Prefekturës, Shënkolli-Iliria mbyllet në barazim 2-2.
Rezultatet e takimeve të javës së nëntë të Grupit A në Kategorinë e Dytë për ditën e shtunë
FT| Luzi-Valbona 2-1
FT| Ada-Internacional 2-1
FT| Gramshi-Shkumbini 0-3
FT| Shënkolli-Iliria 2-2