Java e tetë e Kampionatit Kombëtar të kategorisë parë në futboll grupi A ka nisur që të shtunën me dy ndeshjet, Besëlidhja-Oriku dhe Korabi-Erzeni dhe mbyllet sot me dy ndeshje të tjera, Partizani B-Veleçiku dhe Burreli-Dinamo, ndeshje këto që startojnë në orën 13.30. Sa i përket ballafaqimeve të djeshme, lezhjanët bëjnë një hap të gabuar teksa barazojnë në shtëpi 0 me 0 me Orikun duke iu larguar akoma më shumë kreut të renditjes. Ndërkohë, Korabi mund minimalisht 1 me 0 Erzenin duke marrë tre pikë të rëndësishme që vazhdojnë t’i mbajnë në lojë për kreun. Për dibranët, golin e fitores e realizoi Ismailaj në minutën e 63-të.
Kryendeshja e kësaj javë luhet sot në stadiumin “Liri Ballabani” ku matjanët e drejtuar nga tekniku shkodran Samuel Nikaj dhe me futbollistë cilësorë nga Shkodra që luajnë me unfirmoën e Burrelit, presin Dinamon kryesuese. Një supersfide që ia vlen për t’u ndjekur, e cila pritet të dhurojë momente interesante. Blutë dinamovitë, tashmë me objektivin e shpallur publikisht për t’u kualifikuar në Superligë do të kërkojnë fitoren, por nga ana tjetër përballë kanë një Burrel mjaft solid, më i miri i viteve të fundit që me një strateg në pankinë si Samuel Nikaj, jo vetem që do t’ia bëjë të vështirë marrjen e tre pikëve skuadrës mike, por pse jo, fitorja dhe tre pikëshi të jenë në anën e matjanëve. Po kaq interesante dhe e dyluftuar pritet edhe çifti tjetër që luhet në kryeqytet mes Partizanit B dhe Veleçikut mysafir, përballje kjo që vlen për mbijetesë në kategorinë e parë.