Kategoria e Parë e futbollit shqiptar luajti pasditen e sotme javën e dhjetë, ku pas përfundimit të tetë çifteve, skuadra kryesuese e kampionatit ka regjistruar humbjen e parë. Kjo ka ndodhur në sfidën e luajtur në Peqin në mes Shkumbinit vendas dhe Bylisit mysafir, ku në përfundim të ndeshjes është fiksuar rezultati 2 me 0 në favor të peqinasve. Kanë qënë golat e kapitenit Magani dhe brazilianit Barbosa, përkatësisht në minutat 36-të dhe 58-të që i dhanë fitoren Shkumbinit.
Mjaft interesante është zhvilluar edhe sfida në mes Erzenit vendas dhe Burrelit myasafir, ndeshje kjo e dyluftuar përgjatë 90-të minutave të takimit, ku vetëm në kohën shtesë është vendosur fituesi. Fatin e këtij takimi e ka vendosur shkodrani, Jasmin Rraboshta, një ish futbollist i Vllaznisë, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e matjanëve. Sulmuesi Rraboshta ka arritur ta dërgojë topin neë rrjetën matjave në minutën e 92-të duke i dhënë tre pikë të arta shijakasve të drejtuar nga tekniku Nevil Dede.
Po kaq e rëndësishme është edhe fitorja e marrë në transfertë nga skuadra lezhjane, Besëlidhja ndaj Maliqit vendas. 2-2 ka qënë rezultati në mbyllje të kohës së rregullt, ndërkohë që pas dy minutave të kohës shtesë ka ardhur goli i Redon Danajt duke i dhënë fitoren Besëlidhjes.
Pas disa barazimeve radhazi, pukjanët, i gëzohen fitores tre pikëshe duke mundur në fushën e tyre, Besën e Kavajës me rezultatin 1 me 0 me gol të shënuar nga Hysa në minutën e 33-të. Një ndeshje, kjo, që trajneri shkodran i Tërbumit, Elvin Beqiri, kishte përballë ish kolegun e tij të fushës tek Vllaznia, Alsid Tafili që po luan sezonin e dytë radhazi në radhët e kavajasve të Besës.
Në takimet e tjera, Vora dhe Apolonia, mundën Pogradecin dhe Turbinën, përkatësisht, 3-0 dhe 2-0, ndërkohë që dy sfidat e tjera, Tomori-Butrinti dhe Lushnja-Korabi, i mbyllen ndeshjet e tyre me rrjeta të paprekura, në barazim 0-0.
Rezultatet e Javës së dhjetë të Kategorisë së Parë:
Shkumbini-Bylis 2-0
36′ Magani, 58′ Barbosa
Erzeni-Burreli 1-0
Raboshta 90+2′
Maliqi-Besëlidhja 2-3
56′ Kame, 75′ Demollari/ 39′ Ruben Danaj, 48′ , 90+2′ Redon Danaj
Apolonia-Turbina 2-0
66′ Sota, 73′ Maksuti
Tërbuni-Besa 1-0
33′ Hysa
Tomori-Butrinti 0-0
Lushnja-Korabi 0-0
Vora-Pogradeci 3-0
5′ , 71′ Mashi, 62′ Kovaçi