Besëlidhja-Burreli, ka qënë çifti më interesant i javës së katërt të Kampionatit Kombëtar të fubollit për kategorinë e parë të futbollit shqiptar për grupin A. Lezhjanët pritës në stadiumin “Besëlidhja” kishin shansin që me një fitore të mundshme të barazoheshin me Burrelin që kryesonte me tre pikë më shumë se sa lezhjanët. Por, jo vetëm që nuk e arritën, por matjanët e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj duhej të largoheshin me fitore nga Lezha. Flagrante ishte humbja e penalltisë nga ana e Rraboshtës, por edhe raste të tjera të pastra shënimi të shpërdoruara nga futbollistët e Burrelit duke lënë në fuqi shifrat 0 me 0. Në letër, ky barazim në transfertë dhe përballë skuadrës pretendente është për t’u vlerësuar për skuadrën mike, por, e ritheksojmë edhe një herë, që me rastet e krijuara në portën kundërshtare, Burreli ishte shumë më pranë fitores. Kanë mjaftuar këto katër javë kampionat për të nxjerrë në pah vlerat e trajnerit Samuel Nikaj. Me punën e tij këmbëngulëse dhe profesionale, ai arriti shumë shpejt ta shndërrojë Burrelin, nga një skuadër mbijetese, në një skuadër pretendente për vendin e parë dhe kualifikim në Superiore. Dhe, nëse, në javët e para, të lakuara si pretendente për vendin e parë, ishin Besëlidhja, Dinamo dhe Korabi, tashmë në skenë ka dalë një Burrel që i ka pështjelluar planet dhe projektet e rivalëve.
Megjithatë, edhe pse është herët për të folur për një gjë të tillë, java e katërt në fakt ka arritur të krijojë një ide të përgjithshme të forcës dhe kapacitetit të skuadrave pretendente. Ku, së bashku me Burrelin, natyrisht, treshja Besëlidhja-Dinamo-Korabi, janë aty, dhe patjetër që në javët e ardhshme mund të kemi surpriza, pasi duelet mes pretendentëve do të jenë të shpeshta.
Me shumë interes ishin edhe takimet e tjera të kësaj jave, sidomos ai i luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi’ të Shkodrës mes Veleçikut vendas dhe Dinamos udhëtuese. Dinamovitët që eleminuan Bylisin në Kupë pritej të ishin të frikshëm përballë Veleçikut, por koplikasit, jo vetëm që e ndalën me një barazim 0 me 0, por për hirë të së vërtetës, nëse do të ishin më të saktë me rastet e krijuara përpara portës kundërshtare, edhe mund të fitonin. Por, gjithsesi, pika e parë e marrë ndaj një skuadre me emër si Dinamo, është një sinjal pozitiv për skuadrën e drejtuar nga Ardi Rrustemaj, ndërkohë që stopimi i Dinamos i bën me dije bluve se rruga për të shkuar në Superiore nuk është e lehtë.
Ndërkohë, shumë intresante ka qënë edhe sfida e kryeqytetit mes Partizanit B dhe Korabit. Ndeshje kjo, e cila deri në sekondat e fundit të kohës shtesë dhuroi emocione pa masë në të dyja portat respektive. Të parët shënojnë dibranët me anë të Franci Lalës, i cili në të 51-tën kalon në avantazh Korabin, goli i tij i dytë në këtë kampionat që merrë vertet vlera të veçanta edhe për faktin se vjen nga qëndra e mbrojtjes duke u shfaqur si golashënues. Partizani barazon me Bërdufin në të 76-tën minutë, dhe megjithë rastet e shumta dhe dramatike nga të dyja skuadrat, e gjithë ndeshja mbyllet në barazim 1 me 1.
Sa i përket grupit B të kategorisë parë, Lushnja merr tre pikë në transfertë duke mundur Elbasanin me rezultatin 0 me 1 me gol të shënuar nga Xeka në minutën e 45-të. Besa mund Turbinën 2 me 0 me nga një gol në secilen pjesë, fillimisht me Da Silven në minutën e 32-të dhe më pas Peqinin në të 80-tën. Ndërsa Egnatia likujdoi Flamurtarin duke e mundur me rezultatin e pastër 3 me 0 me autor të gola, Magani 9′, Celhaka 43′, dhe shkodrani Shtubina 78′.
Gaspër MARKU