Vllaznia U-19 e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani dhe kolegu i tij Gjon Kola vazhdon të jete skuadra lidër e Kampionatit Kombëtar të moshave për kategorinë Superiore. Pas javës së 24-të, 19 vjeçarët kuqeblu kryesojnë Grupin A me 35 pikë duke lënë pas Shënkollin me 32 dhe Partizanin me 30, ndërkohë që më poshtë në renditje janë Shkëndija e Tiranës, Tirana, Laçi, KF Shkodra, Internacional, Dinamo dhe Shkëndija e Durrësit.
Mesditën e sotme, kuqeblutë U-19 luajtën si mysafir në Laç, ndeshje kjo e prapambetur dhe që përfundoi me rezultatin 1 me 6 në favor të Vllaznisë. Autorë të golave për ekipin e Vllaznisë në këtë ndeshje janë: Pusi 21’, Nika 30’, Filipi 46’, Elbasani 52’, Papaj 70’, Mlloja 76’. Ndërkohë, për ekipin vendas të Laçit, golin e vetëm e shënoi Farruku me penallti në minutën e 75-të.
Kjo është fitorja e dytë radhazi që realizon Vllaznia U-19 në harkun kohor të katër ditëve, pas asaj që realizoi të dielen e kaluar në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës ndaj Tiranës me rezultatin 2 me 1. Sa i përket kësaj ndeshje, autorë të golave për Vllazninë U-19 ishin Smajli dhe Papaj, përkatësisht në minutat 30’ dhe 48’, ndërkohë që për bardheblutë e Tiranës ishte Gjumsi që shënoi me penallti në minutën e 83’.
Formacioni i Vllaznisë U-19 ndaj Tiranës ishte ky: Kaçaj, Elbasani, Smajli, Paloka, Spahija, Pusi, Delaj, Papa, Nikaj, Alivoda, Pjeshka. (Gjatë ndeshjes u aktivizuan edhe Filipi, Bizi, Musaraj) Trajner Luan Zmijani