Futboll në “laborator”, Botërori 2022 me teknologji për pozicionin jashtë loje

Sporti më i dashur dhe i ndjekur i planetit rrezikon origjinalitetin pasi dalëngadalë po merr një rrugë tjetër, shumë të ndryshme nga ajo që futbolli ka në ADN-në e tij. Zhvillimi i jashtëzkonshëm i teknologjisë në 20 apo 30 vitet e fundit, ka nisur të ushtrojë presion të madh edhe ndaj futbollit që dikur ishte pjesë e popullit ndërsa sot po krijon një distancë të madhe me njerëzit. Rrrugës, modifikimet gjenetike që janë bërë në mekanizmat jetikë të futbollit, po e nxjerrin atë nga shtrati natyral ku hyri rreth 150 vite më parë, menjëherë pas themelimit të skuadrës së parë, Sheffield United në Britaninë e Madhe.

Nëse në vitet 90, teknologjia as nuk konceptohej si pjesë e këtij sporti, dalëngadalë hodhi rrënjë dhe sot jemi në pozitat kur marketingu, etja për para e pushtet në sallonet elitare të futbollit, ka ndryshuar pothuajse gjithçka. Fillimisht, aplikimi i gola line technology i hapi rrugën një revolucioni që nuk dihet ku e ka fundin. FIFA me tagrin e institucionit që mund të ndryshojë çdo rregull loje, po frymëzon ndryshime edhe më të mëdha në frymën që e karakterizon këtë sport.

Pas sinjalizimit teknologjik në vijën fatale, harta e ndryshimeve u zgjerua në të shumëdiskutuarin sistemin VAR ku kompetencat e arbitrave u reduktuan edhe më shumë ndërsa sot jemi në pozitën kur anësorët mund të dalin në pozicion jashtë loje edhe pse ekzistenca e tyre në futboll lidhet pikërisht me këtë detaj teknik të ndeshjeve. Në Botërorin 2022 mund të aplikohet teknologjia e syrit të fajkoit për të sinjalizuar direkt në një orë të vendosur në dorën e kryesorit, pozicionet jashtë loje.

Shuplakë e fortë për asistentët ndaj të cilëve parashikohet e ardhme e zymtë. Një tjetër ndëryshim që ndikon drejtëpëdrejtë në rrjedhën natyrale të këtij sporti, është edhe propozimi që 90 minutëshi klasik të ndryshojë në 100 çka do të thotë që një ndeshje futbolli bashkë me shtesat por edhe pushimin mund të shkojë përtej dy orëve. Një ndryshim që nëse do të aplikohej edhe në futbollin rajonal, atëherë mund të peshojë shumë në llogaritë e klubeve që edhe momentalisht gjejnë rastin për të shprehur pakënaqësinë e ngjeshjes së ditëve e kalendarit.

Në fund, për të qëndruar pikërisht te kalendari, ndryshimi i formatit të botërorit nga 4 çdo dy vjet edhe pse në pamje të parë mund të duket një projekt normal, mund të jetë vendimi që do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme futbollin që kemi njohur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu