Vllaznia B, skuadër e cila funksiunoi për disa vite si pjesë e kategosë së parë dhe të dytë nuk do të jetë më. Me një vendim të marrë nga drejtuesit e Klubit të Futbollit Vllaznia, kjo skuadër është shkrirë. Siç kanë bërë të ditur vete drejtuesit kuqeblu arsyeja e këtij vendimi ka ardhur nga fakti sepse në sezonin e ri futbollistik FSHF ka miratuar zhvillimin e kampionatit të 21 vjeçarëve. Në këtë mënyrë, duket se në Shkodër kanë ndër mend t’i kushtojnë më tepër rëndësi Vllaznisë U-21 pjesë e së ciles është edhe një kontigjent nga Vllaznia B.
Drejtimi i Vllaznisë U-21 i është besuar trajnerit Fatjon Hasani, pikërisht atij që drejtoi sezonin e kaluar edhe Vllazninë B. Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport.al, trajneri Hasani bën të ditur se përgatitjet e skuadrës së tij të re ka ditë që kanë nisur dhe se ai është i kënaqur me grupin që ka në dispozicion. Madje, ato kanë arritur të zhvillojnë edhe ndonjë ndeshje testuese brenda kampit ku skuadra ka prezantuar vlera sa i përket cilësisë së lojës.
Në testuesen e zhvilluar pak ditë më parë, në formacionin e Vllaznisë U-21 të besuarit e trajnerit Hasani ishin Shkoza, Peku, Sekja, Kraja, Bushaj, Rrasa, Leka, Dulaj, Xhahysa, Deda dhe Zeneli. Sipas tij, formacioni i parë mund të ketë ndryshime edhe në varësi të ardhjes së disa futbollistëve nga skuadra e parë e superliges, kryesisht ai kontigjent që nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit gjerman Brdariç. Akoma nuk dihet saktësisht se kur mund të fillojë kampionati i kategorisë U-21, por sipas trajnerit Hasani, një udhëzim i FSHF-së është që kalendari i skuadrave të 21 vjeçarëve mund të jetë përafërsisht me atë të Superiores.