90-të minutat e luajtura sot në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, në mes Bylisit vendas dhe Tiranës mysafore janë mbyllur në barazim 0-0. Përgjithësisht ka qënë një dominim i dukshëm nga ana e skuadrës kryeqytetase, ku edhe rastet për gol nuk munguan, pengesa kryesor ka qënë portjeri Qirko në një ditë shumë të mirë.
Një pikë e vlefshme për ballshiotët në luftën për mbijetese, ndërkohë që barazimi për bardheblutë mund të konsiderohet një dështim, pasi tashmë synimet për shkuar tek titulli kampion është thuajse i pamundur. Ndeshje që nisi e kujdesshme nga të dyja skuadrat, por që Shehi dhe të tijtë i kishin objektivat e qarta kjo u duk që në prekjet e para. Miqtë më këmbëngulës ndërsa Bylis sporadik dhe i vendosur për të mos rrezikuar pikën në një duel që në asnjë mënyrë nuk dëshironte ta humbiste dhe kështu ndodhi pasi gjatë gjithë fraksionit të parë ndeshja mori formën e dialogut mes sulmuesve të Tiranës dhe mbrojtjes e portierit të ekipit mallakastriot që u bë protagonist në disa raste vendimtare.
Portë e mallkuar për Tiranën që nuk arriti të zhbllokonte shifrat dhe u rikthye edhe më nervoze me presionin e minutave që rrihnin si çekan mbi kokën e Shehit, i cili tentoi edhe kartën Kale. Një lëvizje e dëshpëruar për kampionët që e patën të vështirë të kalonin Bylisin duke humbur mes rrëmujës dhe kaosit në zonën e skuadrës së Dovedan.
Përmbledhja më e qartë që simbolizon 90 minutëshin e bardhebluve në Ballsh është momenti i fundit i Torrasës, ku argjentinasi me dëshirën për të marrë më të mirën nuk arrin të marrë maksimumin. Barazim që e ngjit përkohësisht në vendin e katërt skuadrën kryeqytetase me shpresën e hapave falsë të Vllaznisë dhe Laçit, ndërsa Bylis tashmë e ndien nga shumë pranë frymëmarrjen e Skënderbeut ndjekës së zonës së ftohte me vetëm 1 pikë diferencë.