Friday, April 26, 2024

Ish kapiteni kuqeblu, Elvin Beqiri, përcjell “receten” se si Vllaznia shpallet kampione

Lexo

Ka një karrierë të pasur si futbollist, me Vllazninë, jashtë vendit si dhe me kombëtaren e Shqipërisë, ndërkohë që aktualisht po ushtron detyrën e trajnerit, ku pak kohë më parë ishte edhe në krye të kuqezinjëve U-17. Por, natyrisht, ashtu si edhe shumë kolegë të tjerë kuqeblu, edhe për Beqirin, sfida e së hënës ndaj Teutës është një ndeshje për t’u parë. Ndër të tjera, si njohës i afërt i lojës së Vllaznisë, Beqiri merr përsipër të japë edhe “receten” se si mundet Teuta, por edhe mbërritja tek realizimi i objektivit, shkuarja në Europë përmes kampionatit, por në të njëjtën kohë edhe fitimi i titullit kampion.

Cila mund ta bëjë diferencën në garën për titull?

Për sa u përket ekipeve që janë në garë për titull, me atë që kam parë deri tani, nuk mendoj se është ndonjë ekip që bën diferencën, pasi çdo javë po shohim që këto skuadra po lënë pikë. Ndoshta mund të veçoja Vllazninë, e cila pavarësisht se humbi me Tiranën ka zhvilluar ndeshje pozitive. Këtë e ka bërë edhe në takimet e këtyre javëve të fundit duke e rritur përsëri nivelin e lojës si në dy fazat e para.

Nga 5 ekipet që janë në luftë, cili mendoni se ka diçka më shumë dhe mund të quhet favorit?

Nuk shoh ndonjë favorit  nga këto ekipe. Në futboll çdo gjë mund të ndryshojë nga momenti në moment, për mirë apo për keq, prandaj kush do jetë më i përqendruar dhe do të dijë të shfrytëzoje gabimet e kundërshtarit, ai ekip do të jetë favorit për kampion.

Nga çfarë duhet të trembet më tepër Vllaznia në këtë situatë?

Vllaznia nuk duhet të trembet nga asgjë për mendimin tim, sidomos tani në fund të kampionatit. Flitet për aleanca të ekipeve të tjera apo probleme arbitrimi, por te kjo pjesë Vllaznia duhet të jetë e qetë. Kryesore është që të mos e humbasin përqendrimin deri ne fund dhe të marrin maksimumin në çdo ndeshje që ka mbetur.

Ju keni qenë vetë mbrojtës, si e shpjegoni golin që pësoi Vllaznia ndaj Tiranës, ku u gabua?

Mendoj se Marku duhet të kishte reaguar më mirë në largimin e topit me kokë. Gjithsesi, duhet vlerësuar edhe goditja e fortë e Bathës që nuk i la shumë kohë Markut për të reaguar. Ndeshja me Teutën mund të jetë vendimtare në luftën për titull? Sigurisht që në këtë pikë që ndodhet kampionati nuk duhet gabuar sepse nuk ke mundësi rikuperimi. Vllaznia duhet me patjetër të fitojë me Teutën për të pretenduar për titullin kampion ndryshe do ta ketë shumë të vështirë.

Mendoni se Vllaznia mund të bëjë një hap të madh nëse thyen durrsakët? Çfarë ndeshjeje parashikoni?

Patjetër që do të jetë pretendentja kryesore për titullin kampion, pasi do mundte një rivale direkte për kampione. Ndeshjen e shoh të vështirë, por jo të pamundur që Vllaznia të arrijë te fitorja.

Një këshillë për dyshen e qendrës, Adili-Shehi?

Është një dyshe e konsoliduar në qendër të mbrojtjes në ndeshjet e fundit që kanë zhvilluar bashkë. Rikthimi i Imamit e konsolidon edhe më shumë këtë repart. Vetëm Adilit do t’i thosha që duhet të luajë më thjeshtë në situatat e vështira të lojës, kur është në zotërim të topit.

Vllaznia do të jetë sipas jush në katërshen e parë?

Në qoftë se ruan këtë ritëm deri në fund të kampionatit dhe të jetë më e saktë në finalizim me rastet që krijon, patjetër që do të jetë në katërshen e parë e pse jo edhe kampione.

Admir Uruçi

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img