Tirana-Vllaznia, është ndeshja kryesore e Kampionatit Kombëtar të Futsales. Klasikja e futbollit shqiptar, do të përballet në dy ndeshje gjysëmfinale, e para në kryeqytet dhe e dyta në Shkodër, për të siguruar një bilete në finalen e madhe ku do të diskutohet fitorja e trofeut.
Sfida e parë do të luhet mbrëmjen e së dielës në pallatin e sportit, “Asllan Rusi” të Tiranës duke filluar nga ora 21:00.
Një supersfidë kjo që ka tërhequr vemendjen e madhe të opinionit sportiv në të dy kampet përkatëse. Me emocion po pritet kjo përballje edhe në qytetin verior, ku sipas informacionit, tifozëria shkodrane është organizuar të udhëtojë drejt kryeqytetit në një numër të madh, në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës.
“Faza e Play Off në Kampionatin Kombëtar Futsal nis të Dielën me 9 Prill. Udhëtojmë për në kryeqytet ku do përballemi me Tiranën në ndeshjen e parë në “Asllan Rusi” dhe me 13 Prill luajmë ndeshjen e kthimit në Shkodër në “Qazim Dervishi”. Besojmë në kalimin e kësaj faze dhe arritjen në finale. Kërkojmë mbështetjen e tifozëve në Pallatin e Sporteve në Tiranë por sidomos në Shkodër. Biletat janë falas! Forca Vllaznia, drejt finales!”, shkruan drejtori teknik i KF Vllaznia Futsal, Arben Xhaferi.
Ndërkohë, në një prononcim të shkurtër për Veriu Sport, drejtori Xhaferi, shpreh bindjen e plotë, se pas dy sfidave gjysëmfinale, Vllaznia do të kualifikohet në finale, dhe më tej për t’u bërë fituese e titullit kampion.