Tuesday, November 26, 2024

Gabon Tirana, humbet në shtëpi dhe eleminohet nga Champions League

Lexo

Humbja e Tiranës 0 me 1 në sfidën e parë të luajtur në Luksemburg krijoi problem në kampin bardheblu, por jo deri aty sa kualifikimi të mos shikohej si i mundur në ndeshjen e kthimit. Ndaj, edhe deklaratat e pragndeshjes së dytë nga kampi tiranas ishin jo pak entuziste për një gjë të tillë.

Por, fusha e lojës tregoi të kundërtën. Stadiumi “Air Albania” ishte i pafat për kryeqytetasit, sepse 1-2 i fiksuar nga miqtë nuk i la asnjë shans bardhebluve, që e panë veten gjithnjë në ndjekje të rezultatit dhe duhet të bëjnë llogaritë me zbritjen në Conference League, ku në raundin e dytë do të sfidojnë boshnjakët e Mostar.

Shehi preferoi të luante pothuaj me të njëjtët lojtarë si në ndeshjen e parë dhe u duk se Xhixha e Seferi mund ti krijonin problem luksemburgasve, që në minutën e 9-të u shpëtuan nga portieri, ndërsa në të 16’ nga shtylla. Ajo e Dejvid ishte mundësia e vetme për brazilianin gjatë gjithë ndeshjes dhe ishte mënyra më e keqe për të çuar dëm një aksion individual fantastik të Seferit.

Tirana nxitonte të shënonte golin që do të barazonte sfidën, por nxitonte shumë dhe gabonte po me aq shpejtësim ndërsa ashtu si në ndeshjen e parë fantazmat e një penalltie të munguar do të turbullojnë mendimet e Shehit, në reflektimin si mund të kishte shkuar ndryshe kjo ndeshje.

Dudelange priti prapa, me agresivitet difensiv e cinizëm rinisjesh, që mund të kishin bërë keq në shtesën e pjesës së parë, por që duhet të kishte qenë sinjali për atë që do të ndodhte në të dytën, sinjal që kryeqyetasit nuk e kuptuan deri kur në të 50’ rrëshqitja e Totres i lejoi Bojic të provonte shansin nga distanca, duke marrë kreditet e avantazhit, që ishte si një gur i rëndë mbi këmbët e Tiranës.

Një skuadër në kaos e një tjetër e organizuar që mund të shënonte të dytin më shpejt se sa e shënoi, por nëse Uasiero gaboi në të 52’, Sinani nuk e përsëriti 9 minuta më pas, duke vulosur praktikisht kualifikimin, që nuk e tronditi dot as goli i Xhixhës në të 78.

Dudelange rezistoi, pa ndonjë vështirësi të madhe, madje i shkoi pranë të tretit, në goditjen me kokë të Diuf të ndalur nga traversa, ndërsa minutat e pauzës të kërkuara nga arbitri për të qetësuar shpirtrat e tifozëve bardheblu, ishin vetëm një shtojcë ankthi për një humbje që djeg.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img